Shkruan: Alfred Marleku
Presidenti rus, Vladimir Putin, së fundmi ka shprehur mbështetje të kushtëzuar për propozimin amerikan, i cili më parë është pranuar edhe nga pala ukrainase, për një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë. Megjithatë, ekzistojnë disa arsye kokëforta dhe strategjike që shpjegojnë se përse Putinit në fakt nuk i konvenon një marrëveshje e tillë, edhe pse ai me elegancë diplomatike dhe për të mos ofenduar Presidentin Trump, pohoi se është një propozim “me vend”.
Rusia ka aktualisht një avantazh strategjik në terren. Forcat ruse kanë arritur të rikthejnë gradualisht territore të humbura më parë dhe momentalisht janë në një pozicion të favorshëm për të forcuar më tej kontrollin e tyre në rajone strategjike. Sipas burimeve të shumta, në rajonin e Kurskut dhe në lindje të Ukrainës, forcat ruse janë afër spastrimit të plotë të forcave ukrainase pas muajsh të tërë inkursionesh të dështuara nga pala ukrainase. Në këtë kontekst, një armëpushim tani do të lejonte Ukrainën të rimarr frymë, të siguroj mbështetje shtesë ushtarake nga aleatët perëndimorë dhe të përgatitet për kundërofensivë, duke rrezikuar humbjen e avantazhit që Moska ka fituar me shumë kosto.
Putini e specifikoj se çdo marrëveshje për armëpushim duhet të çoj në “paqe të qëndrueshme dhe të eliminoj shkaqet rrënjësore të krizës”. Por, ajo që ai e quan “shkaqe rrënjësore” janë në fakt kërkesat maksimale të Rusisë ndaj Ukrainës dhe Perëndimit. Ndër këto kërkesa, e para është mosanëtarësimi i Ukrainës në NATO. Që prej fillimit të konfliktit, Kremlini ka theksuar se anëtarësimi i Ukrainës në NATO përbën kërcënimin kryesor ndaj sigurisë kombëtare të Rusisë dhe se një Ukrainë e lidhur me aleancën ushtarake perëndimore është e papranueshme për Moskën. Rusia kërkon një Ukrainë neutrale sa i përket rreshtimeve ushtarake, pra një shtet që nuk lidhet me asnjë bllok ushtarak dhe që nuk pranon trupa të huaja në territorin e saj.
Një tjetër kërkesë qendrore e Rusisë është njohja zyrtare si territor rus e rajoneve që Moska i ka aneksuar. Donetsku, Luhansku, Khersoni, Zaporizhzhia dhe Krimea konsiderohen nga Putini si pjesë integrale e Federatës Ruse dhe çdo armëpushim, sipas Moskës, duhet ta përfshijë pranimin e këtij realiteti të krijuar me forcë. Kjo kërkesë, natyrisht, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe me vetë parimet e sovranitetit të Ukrainës.
Një kusht tjetër i shpallur nga Kremlini është refuzimi kategorik i vendosjes së trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Ukrainë. Rusia kundërshton çdo ide që do të sillte forca ndërkombëtare për të garantuar armëpushimin ose për të mbikëqyrur zbatimin e tij, pasi kjo do të dobësonte kontrollin rus dhe do të nënkuptonte pranimin e një roli të drejtpërdrejtë të Perëndimit në zgjidhjen e krizës.
Në këtë sfond, edhe pse Putin deklaron publikisht se “në parim” pajtohet me propozimet për ndalim të luftimeve, ai njëkohësisht thekson se “armëpushimi duhet të çojë në paqe të qëndrueshme”, duke përsëritur se shumë çështje mbeten të hapura dhe se çdo marrëveshje duhet të garantoj sigurinë afatgjatë të Rusisë. Në të vërtetë, këto janë vetëm mënyra diplomatike për të thënë se pa plotësimin e këtyre kërkesave, armëpushimi nuk është realisht i mundshëm.
Autori është profesor i Shkencave Politike