Nga Theo Harrison
A është e vërtetë alkimia? A mund ta kthehet vërtetë në ar çdo lloj metali bazë? Akimia ka tërhequr ndër shekuj vëmendjen e kimistëve. Madje na ka nxitur të pyesim veten se a mund të bëhemi miliarderë brenda natës duke kthyer në ar metalet e zakonshme? Por a është e mundur kjo gjë?
Alkimia është një praktikë e lashtë filozofike, historike dhe proto-shkencore, e cila synonte të transformonte metalet bazë në metale të çmuara si për shembull në ar. Po ashtu, ajo synonte të gjente një ilaç universal që mund të shëronte të gjitha sëmundjet nga të cilat preket njeriu.
Por përveç shndërrimit të metaleve dhe kërkimit të eliksirit të jetës, alkimistët eksploruan gjithashtu natyrën e materies dhe universit, si dhe praktikat shpirtërore dhe mistike.
Për këto arsye, Alkimia luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kimisë dhe mjekësisë moderne, pasi shumë nga teknikat dhe praktikat e përdorura nga alkimistët hodhën themelet për metodat shkencore të përdorura sot. Por alkimia e vërtetë, nuk kishte të bënte vetëm me transformimet fizike, por edhe me ato shpirtërore dhe filozofike.
Shumë alkimistë, e panë punën e tyre si një mjet për të arritur ndriçimin shpirtëror dhe bashkimin me hyjnoren. Ata besonin se transformimet fizike që po kërkonin, ishin të lidhura ngushtë me transformimet e shpirtit. Dhe besonin se duke pastruar dhe transformuar lëndën, ata mund të pastronin dhe transformonin veten.
Pavarësisht nga kontributet e shumta në zhvillimin e shkencës dhe mjekësisë moderne, alkimia nuk konsiderohet sot një praktikë legjitime shkencore ose mjekësore. Gjithsesi ndikimi i saj mund të shihet ende tek gjuha dhe simbolikën e kimisë moderne.
Ndërkaq trashëgimia e saj vazhdon të frymëzojë artistë, shkrimtarë dhe mendimtarë në mbarë botën. Praktika e alkimisë filloi që në Egjiptin helenistik, dhe u përhap në të gjithë botën islame dhe më pas në Evropë gjatë Mesjetës dhe Rilindjes.
Ajo ishte një përzierje e traditave të ndryshme filozofike dhe shkencore, përfshirë filozofinë greke, mitologjinë egjiptiane, misticizmin hebre, shkencën indiane Vedike dhe Ajurvedike dhe shkencën islame. Një nga praktikat kryesore të alkimisë ishte ‘Magnum Opus’, ose “puna e madhe”.
Ky ishte qëllimi përfundimtar i alkimistit, dhe përfshinte një proces të gjatë dhe kompleks pastrimi, transformimi dhe integrimi. “Magnum Opus” shihej si një transformim fizik dhe shpirtëror, dhe arritja e tij besohej se jepte jo vetëm pasuri dhe fuqi materiale, por edhe ndriçim shpirtëror dhe bashkim me hyjnoren.
Kjo traditë komplekse dhe e shumanshme përfshinte një gamë të gjerë praktikash, besimesh dhe qëllimesh. Alkimistët punuan si në fushën praktike ashtu edhe në atë teorike. Megjithëse shumë nga idetë dhe praktikat e alkimisë nuk konsiderohen sot të vlefshme, disa nga teknikat dhe konceptet e saj kanë ndikuar në kiminë dhe mjekësinë moderne.
Për shembull, alkimistët ishin ndër të parët që zhvilluan teknika për ndarjen dhe pastrimin e përbërjeve kimike, dhe fokusi i tyre tek eksperimentimi dhe vëzhgimi, hodhi themelet për metodën shkencore. Guri Filozofik është një substancë legjendare që kërkohej me ngul nga alkimistët.
Besohej se ai kishte fuqinë për t’i shndërruar metalet bazë në ar ose argjend, dhe për t’i dhënë jetë të përjetshme personit që e zotëronte atë. Ai njihej edhe me emra të tjerë të ndryshëm, si eliksiri i jetës, ilaçi universal dhe kuintesenca. Në simbolikën alkimike, Guri Filozofik përfaqësonte qëllimin përfundimtar të kërkimit alkimik, që ishte transformimi i vetëdijes së vetë alkimistit dhe arritja e ndriçimit shpirtëror.
Ai përshkruhej shpesh si një substancë e vogël, e fortë, e kuqe ose e bardhë, dhe ndonjëherë si pluhur ose lëng, që mund të krijohet përmes një procesi kompleks distilimi, pastrimi dhe shndërrimit të substancave të ndryshme. Edhe pse ideja e Furit filozofik ishte qendrore në studimin alkimik për shekuj me radhë, askush nuk e zbuloi kurrë atë.
Gjithsesi, ndjekja e gurit filozofik luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kimisë moderne. Alkimia përfshinte një sërë procesesh komplekse dhe të shumanshme si kalcifikimi, pra ngrohjen e një lënde në një temperaturë të lartë në mënyrë që të digjte papastërtitë, shpërbërja, ndarja, lidhja, fermentimi, distilimi dhe koagulimi.
Alkimia ka qenë një praktikë e vërtetë historike që ishte e njohur në Evropë dhe Lindjen e Mesme gjatë periudhave Mesjetës dhe epokës së hershme moderne. Por edhe pse mund të jetë praktikuar gjerësisht nga alkimistët gjatë historisë dhe nëpër rajone dhe kultura, ajo nuk konsiderohet një shkencë e vërtetë në kuptimin modern.
Sepse pretendimet e saj për kthimin e metaleve bazë në ar ose krijimin e një kure universale për sëmundjet nuk u realizuan kurrë. Shumë nga praktikat e tij ishin më shumë të bazuara tek bestytnitë dhe misticizmi sesa tek vëzhgimi dhe eksperimentimet.
Po ashtu Alkimia bazohej tek besimet e vjetruara mbi natyrën e materies dhe universit, dhe metodat e saj ishin shpesh joshkencore dhe joefektive. Gjithsesi hodhi bazat e kimisë. Kështu, është një fakt që fosfori u zbulua nga alkimisti gjerman Henig Brand në vitin 1669, gjatë kohës që ai ishte në kërkim të Gurit Filozofik.
Brand kishte eksperimentuar me urinën, për të cilën ai besonte se ishte një përbërës kyç në krijimin e Gurit Filozofik. Në një nga eksperimentet e tij, ai ngrohu sasi të mëdha të urinës derisa ajo nisi të shkëlqejë në errësirë. Kështu u zbulua fosfori, një element shumë reaktiv dhe i ndezshëm.
Paradoksalisht zbulimi i fosforit, ndihmoi në diskreditimin e idesë së shndërrimit të një elementi në një tjetër, i cili kishte qenë një fokus qendror i alkimisë. Ndaj në vend të kësaj, shkencëtarët filluan të studiojnë vetitë e elementeve dhe reagimet e tyre me njëri-tjetrin.
Alkimisti më i famshëm ka qenë Paracelsusi (1493-1541), një mjek dhe filozof zviceran që dha një kontribut të rëndësishëm në fushat e kimisë, mjekësisë dhe toksikologjisë.
Marrë me shkurtime nga themindsjournal – bota.al