UBT News

A është BE në rrezik për krizë të re financiare?

Rritja e çmimeve të energjisë po ngre edhe inflacionin në Evropë, duke ngadalësuar perspektivën e rritjes për BE-në dhe Eurozonën, sipas parashikimit të fundit të KE-së.

“Çmimet e larta të energjisë, pengesat e furnizimit dhe efektet bazë po veprojnë fuqishëm për të rritur çmimet e konsumit. Krahasuar me parashikimet e vjeshtës, projektimi i inflacionit është rishikuar ndjeshëm për këtë vit. Kontraktimi i treguesve për të ardhmen sugjeron se çmimet e energjisë do të mbeten të larta për një kohë të gjatë dhe se presioni ndaj çmimeve do zgjerohet në disa kategori ushqimesh dhe shërbimesh”, tha Paolo Gentiloni, komisioner i BE-së për Ekonominë.

Për të mbajtur të ulët dhe të qëndrueshëm inflacionin, Banka Qendrore Evropiane vendosi objektivin prej 2 për qind.

Komisioni Evropian vlerëson aktualisht se inflacioni vjetor në zonën euro do të rritet nga 2.6 në 2021 në 3.5 në 2022-shin dhe ndoshta do të bjerë në 1.7% në 2023-shin.

Por ekspertët tregohen të kujdesshëm lidhur me këto parashikime, pasi pasiguritë globale nga tronditja e zinxhirëve të furnizimit dhe pandemia mbeten të larta.

Gjithashtu, shqetësimet për rritjen e inflacionit për politika monetare më të forta kanë ndikuar tek tregjet.

Sa i lartë është rreziku për një krizë të re financiare?

“Do të doja të thosha se mund ta përjashtojmë, por realiteti është se eurozona ndodhet në një situatë të brishtë dhe ajo çfarë duhet të bëjmë janë 2 gjëra. Duhet të punojmë në nivel kombëtar për të rritur produktivitetin”, thotë Guntram Wolff, drejtor i Bruegel.

“Por duhet edhe shumë aksion në nivel evropian. Kjo do të thotë se duhet të diskutojmë çështjen e ndjeshme të unionit dhe integrimit fiskal. Mendoj se eurozona nuk mund ta fshehë këtë debat përgjithmonë, sidomos atëherë kur inflacioni do të rritet dhe politikat monetare nuk do mund të avancohen më”, shton Wolff.

Parashikimi për inflacionin, por edhe në tërësi për ekonominë evropiane, varet edhe nga tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës.

Dhe sikurse theksoi komisioneri Gentiloni, “paqja, stabiliteti dhe rritja ekonomike janë të lidhura fort”.

Exit mobile version