Rusia po dërgon grurë nga Ukraina jashtë shtetit, thonë zyrtarët e emëruar nga Rusia në Ukrainën jugore të okupuar.
Ky pretendim – të cilin BBC-ja nuk arriti ta verifikojë – erdhi pasi zyrtarët ukrainas e akuzuan Rusinë për vjedhjen e 600 mijë ton grurë dhe eksportimit të disa prej tyre. Rusia mohon se e ka vjedhur grurin.
Qasja në grurin e grumbulluar të Ukrainës është bërë urgjente ndërkombëtarisht: miliona tonë eksportohen çdo vit në Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Por tani nuk mund të shitet sepse marina ruse po bllokon portet e Ukrainës në Detin e Zi.
Shtetet e Bashkuara pretendojnë se Rusia po përpiqet t’ua shesë grurin e vjedhur ukrainas vendeve të goditura nga thatësira në Afrikë, raportoi New York Times. Në mes të majit, ShBA paralajmëroi 14 vende, kryesisht në Afrikë që anijet ruse të mallrave po largoheshin nga portet pranë Ukrainës të ngarkuara me grurë, raportoi gazeta, duke cituar një kabllogram të Departamentit të Shtetit.
Çfarë thonë rusët?
Yevgeny Balitsky, përgjegjës për zonat e kontrolluara nga Rusia në rajonin e Zaporizhzhia-s, tha se gruri ishte larguar nga rajoni në trenat e mallrave me destinacion Krimenë – të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014 – dhe prej andej në Lindjen e Mesme.
Ai i tha televizionit shtetëror rus se kontratat kryesore janë duke u lidhur me Turqinë – pa dhënë detaje.
Një zëdhënës i autoritetit rus pushtues në Krime, Oleg Kryuchkov, tha se 11 vagonë me drithë kishin mbërritur në Krime nga Melitopol, një qytet në Zaporizhzhia. Ai duke folur për Agjencinë Shtetërore ruse të lajmeve, RIA, tha se gruri po eksportohej nga rajoni i okupuar i Khersonit. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov diskutoi problemin e grurit me homologun e tij turk, Mevlut Çavusoglu të mërkurën në Ankara, por nuk pati asnjë përparim.
Lavrov mohoi se Rusia po pengonte eksportet e grurit të Ukrainës, duke thënë se ngarkesa ishte e Ukrainës për të çminuar ujërat e Odesës dhe porteve të tjera. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës tha se Ukraina nuk mund të deminojë bregdetin sepse Rusia do të “përdorte korridoret e grurit për të sulmuar Ukrainën jugore”.
Rusia po ashtu ia hedh fajin sanksioneve të Perëndimit për krizën ushqimore. Sidoqoftë Perëndimi thotë se Rusia ka armatosur furnizimet ushqimore. Turqia po përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje për të krijuar korridore të sigurta detare.
Çfarë thonë ukrainasit?
Javën e kaluar, ambasadori i Ukrainës në Turqi, Vasyl Bodnar tha se Rusia po transportonte grurë të vjedhur nga Krimea, dhe Turqia ishte një nga destinacionet.
“Ne kemi bërë thirrjen tonë që Turqia të na ndihmojë dhe me sugjerimin e palës turke, po hapim çështje penale në lidhje me ata që vjedhin dhe shesin drithërat”, e citoi Reuters të thoshte ai.
Shefi i Shoqatës së Drithërave të Ukrainës, Mykola Gorbachov, ka paralajmëruar se nëse eksportet nuk mund të rifillojnë nga portet e Ukrainës, korrja e ardhshme, duke filluar nga fundi i korrikut, do të ndikohet rëndë. Ai tha se eksportet e grurit të Ukrainës do të kufizohen në maksimum 20 milionë ton vitin e ardhshëm – nëpërmjet rrugëve, lumenjve dhe hekurudhave – ndërsa vitin e kaluar Ukraina arriti të eksportojë 44.7 milionë ton.
Pse është kjo çështje kaq urgjente?
Pushtimi rus i Ukrainës ka çuar në rritjen e çmimeve botërisht për grurë, vajin e gatimit, naftë dhe plehra. Ndikim kanë pasur edhe sanksionet e Perëndimit.
Rusia dhe Ukraina së bashku përbëjnë gati një të tretën e furnizimeve globale të grurit – kontributi i Ukrainës është gati 10%. Në vitin 2019, Ukraina përbënte 16% të furnizimeve botërore të misrit dhe 42% të vajit të lulediellit, sipas të dhënave të OKB-së.
Bllokada aktuale e Ukrainës dhe grumbullimi i drithit nga disa vende po kontribuojnë në mungesat në vendet tashmë të goditura nga pasiguria ushqimore./UBTNews/