Cili është zhanri juaj i preferuar i muzikës? Preferoni më shumë Bah apo Metallica-n? A ka rëndësi zhanri, kur flitet për ndikimin e muzikës në shëndetin e njeriut? Sipas studimeve të fundit jo.
Për shembull, ka prova të qarta se dëgjimi i muzikës së preferuar, mund të ndihmojë në përmirësimin e humorit dhe reduktimin e ankthit.
Dr.Met Mekreri nga UNSW Medicine & Health në Australi, thotë se angazhimi me muzikën,që përfshin dëgjimin e muzikës, luajtjen e një instrumenti apo këndimin, shkakton një reagim emocional, që ka gjithashtu edhe një element fiziologjik.
Se pse muzika ka aftësinë të shkaktojë këtë reagim emocional, kjo është ende objekt debatesh. Por duket se ka të bëjë me krijimin e një lidhjeje emocionale midis muzikantëve, të cilët krijojnë tinguj me një qëllim emocional, dhe dëgjuesit, të cilët e marrin këtë informacion emocional, thotë Dr.Mekreri, që është një lektor në Shkollën Klinike të Princit të Uellsit nëSidnei.
Eksperti thotë se pasojat fiziologjike të kësaj përgjigje emocionale, janë aktivizimi i gjerë i shumë rajoneve të trurit, si dhe aktivizimi i sistemit nervor autonom, dhe sidomos i përgjigjes “lufto ose vrapo” gjatë pjesës më të madhe të angazhimit me muzikën, e ndjekur nga rritja e “relaksimit psikologjik dhe metabolizmit”.
“Hipoteza e ngritur nga studimet e mia, është se dëgjimi apo angazhimi i përsëritur i muzikës, e rrit aftësinë tonë për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive stresit, gjë që përmirëson shëndetin dhe mirëqenien tonë të përgjithshme”, thotë Mekreri.
Dhe duke iu kthyer pyetjes nëse preferoni muzikën bashkëkohore pop, heavy metal apo klasike, nuk ka aktualisht asnjë provë që të pretendohet nëse një zhanër i caktuar është më i mirë se një tjetër, për sa kohë që ajo është muzika që ju pëlqen.
“Muzika më me ndikim në shëndetin dhe mirëqenien tuaj, duket se është muzika që ju pëlqen më shumë, pasi luajtja dhe dëgjimi i saj përputhet me reagimin më të fortë emocional dhe fiziologjik. Për disa, kjo mund të jetë muzika klasike, për të tjerët muzika metal”, shton eksperti.
Është interesante të theksohet se muzika shkakton tek njeriu modele të ngjashme të aktivizimit të sistemit nervor autonom, që ne përjetojmë kur marrim pjesë në një stërvitjefizike. Gjithsesi, Mekreri thekson se madhësia e këtyre përgjigjeve ndaj muzikës, është e një amplitude më të ulët kur krahasohet me ushtrimin fizik.
Bazuar në gjetjet e studimit të tij, dr.Mekrarti thotë se u befasua kur zbuloi se ndikimi i muzikës është i prekshëm, i matshëm dhe i rëndësishëm, si në aspektin statistikor ashtu edhe atë klinik. “Aspekti më emocionues në lidhje me këto rezultate, janë njohuritë që ato ofrojnë për ndikimin e mundshëm të muzikës në shëndetin tonë të përgjithshëm.
Për shembull, ushtrimi fizik lidhet me parandalimin e 1.6 milionë vdekjeve në vit në mbarëbotën. Nëse muzika mund të ketë gjysmën e këtij ndikimi, po flasim për parandalimin e 800.000 vdekjeve vjetore të shmangshme”- thotë Mekrari.