UBT News

A e ka humbur shkëlqimin “djali i artë” i Hollywood-it, Timothée Chalamet? 

Aktori i njohur i Hollywood-it Timothée Chalamet është përballur me kritika të shumta pas komenteve të tij të fundit për baletin dhe operën, duke nxitur debat në botën e artit dhe kulturës.

Në një intervistë me aktorin Matthew McConaughey, me të cilin kishte luajtur në filmin Interstellar, Chalamet deklaroi se nuk dëshiron të punojë në fusha si baleti apo opera, duke thënë se janë forma arti për të cilat “askujt nuk i intereson më”. Edhe pse ai më pas shtoi se kishte respekt për artistët e këtyre disiplinave, deklarata e tij shkaktoi reagime të forta.

Mes kritikëve ishte edhe sopranoja amerikane Isabel Leonard, e cila tha se komentet e aktorit tregojnë mungesë respekti ndaj artistëve të tjerë. Debati u përhap edhe në rrjetet sociale dhe në mediat e kulturës pop, ndërsa disa institucione artistike reaguan me ironi.

Kompania Seattle Opera madje ofroi zbritje për biletat e operës Carmen duke përdorur kodin promocional “TIMOTHEE”, duke e kthyer polemikën në një formë marketingu.

Komentet e Chalamet erdhën në një moment të ndjeshëm, pasi aktori është i nominuar për çmimin e aktorit më të mirë në Academy Awards për rolin e tij në filmin Marty Supreme.

Megjithatë, sipas disa analistëve të industrisë së filmit, polemika mund të mos ketë ndikim të madh në garën për Oscar, edhe pse aktori ka humbur disa nga çmimet paraprake si BAFTA Awards.

Pavarësisht kritikave, Chalamet mbetet një nga aktorët më të përfolur të brezit të tij dhe ende konsiderohet kandidat i fortë në garën për çmimin më prestigjioz të kinemasë.

Marrë dhe përshtatur nga BBC.

Exit mobile version