Për t’i mbijetuar ndryshimeve klimatike, Venecias do t’i duhet të rimendojë mbrojtjen nga përmbytjet, e cila është e vjetëruar.
3 tetori e vitit 2020 ishte një ditë e rëndësishme për venecianët. Atje ishte parashikuar një valë e lartë, e cila normalisht do t’i kishte parë zonat e ulëta të qytetit nën disa centimetra ujë, por megjithatë kjo nuk ndodhi dhe rrugët mbetën të hapura.
Ujërat ishin frenuar nga MOSE (Modulo Sperimentale Elettromeccanico), një sistem portash i projektuar për raste të përmbytjeve. Shumë njerëz kishin përgatitur çizmet e tyre të gomës, duke e pasur të vështirë të besonin se sistemi do të funksiononte vërtet. Megjithatë gjatë gjithë ditës, rrugët mbetën në gjendjen e tyre normale.
Por nga disa, po vihet në pikëpyetje se a do të mund ky sistem t’a mbrojë qytetin edhe për shumë kohë…
Udhëheqësit kulturorë u mblodhën së fundi për t’ia shkruar një letër kryeministrit italian, Mario Draghi. Ata paralajmëruan se qyteti është larg nga të qenit i sigurt dhe nuk do të kalojë shumë kohë para se të nevojiten urgjentisht mbrojtje të reja kundër përmbytjeve. E fajtori kryesor, sipas tyre, është ndryshimi i klimës.
Rritja e nivelit të detit, e parashikuar për një të ardhme jo shumë të largët, do të vëjë në pikëpyetje funksionalitetin e barrierave. Anna Somers Cocks, kryeredaktore e Gazetës Art dhe një nga autoret e letrës drejtuar kryeministrit, shpjegon se MOSE është e papërgatitur për nivele më të larta të detit.
Kjo është për shkak se është projektuar në vitet 1980-ta dhe nuk i përshtatet ndryshimit të sotëm të klimës, transmeton UBT News.
Në letrën drejtuar kryeministrit, autorët referojnë parashikimet rajonale të publikuara nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) në vitin 2021. Ata parashikojnë një rritje të nivelit mesatar të detit deri në vitin 2100 prej 28-55 centimetra në skenarin e tyre më optimist të ngrohjes globale – dhe 63-101 centimetra në skenarin më pesimist.
Siç shpjegon Somers Cocks, mbylljet shumë të shpeshta që pengojnë shkëmbimin e baticës së ujërave midis lagunës dhe detit “do ta kthenin lagunën në një moçal të vdekur e të qelbur”.
Ajo shton se është një fakt pak i njohur që Venecia nuk ka ende një sistem të plotë të kanalizimit.
Një ekip hulumtues nga Universiteti i Padovës ka analizuar efektin e barrierave MOSE në mjedisin natyror të Venecias. Gjetjet e tyre, të publikuara së fundmi në një raport në Nature Geoscience, tregojnë se ngritja e barrierave tashmë po shkakton probleme.
Në raport, thuhet se shpërthimet e stuhisë, në veçanti, janë jetike për mobilizimin e rërës dhe baltës dhe dërgimin e saj në sipërfaqen e kënetës, por MOSE tani ka të ngjarë të aktivizohet në këto kushte moti – duke e parandaluar këtë shpërndarje./UBTNews/