Nëntë vjet pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Mbikëqyrje Elektronike të personave që u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, të martën është lansuar sistemi i hallkave për mbikëqyrje elektronike.
Institucionet shtetërore presin që sistemi i mbikëqyrjes elektronike të parandalojë rastet e dhunës në familje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e konsideroi hap gjigand lansimin e këtij sistemi.
Sipas Kurtit, sistemi për mbikëqyrje elektronike do të reduktojë jashtëzakonisht shumë dhunën në familje.
“Duhet të theksojmë që problemet më të mëdha i kemi se nuk respektohen urdhrat mbrojtës. Pra, defekti nuk është thjesht mungesa e hallkave për monitorim elektronik, por mos respektimi i urdhrave mbrojtës. Tash meqenëse që ka të tillë që do të vazhdojnë me mos respektim të urdhrave mbrojtës ne kemi bërë një hap gjigand në mbikëqyrje të gjithë këtyre personave…Këtë të arritur domethënëse e cila padyshim që do ta reduktojë jashtëzakonisht shumë dhunën në familje”, thotë Kurti.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lansimin e hallkave elektronike e konsideroi si projektin më të rëndësishëm të realizuar në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në bazë gjinore.
“Kjo është ndër projektet më të rëndësishme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e vajzave dhe grave në Republikën e Kosovës. Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike ka hyrë në fuqi në qershorin e vitit 2015, prandaj ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme që të ndërmarrim veprime dhe menjëherë kemi filluar që të ndërmarrim veprime në përputhje me përgjegjësitë. Prandaj, përgëzoj Policinë e Kosovës dhe të gjithë ata që janë angazhuar për ta vënë në jetë, pra në implementim ligjin për Mbikëqyrjen Elektronike…Është jashtëzakonisht e rëndësishme që edhe sot të thuhet dhuna në familje nuk është çështje private, është përgjegjësi e institucioneve dhe në këtë rast presim veprime serioze sidomos nga prokuroria dhe gjykatat. Dënimet e ulëta, veprimet me lëshim në procedurë të rregullt nga ana e prokurorisë, mendoj që i inkurajojnë dhunuesit në mënyrë shteti, gjegjësisht institucionet e drejtësisë dhunuesit po i shndërrojnë në vrarës”, tha ajo.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se byzylykët do të përdoren edhe për parandalimin e veprave të tjera penale.
“Ky është edhe një sukses i policisë por edhe i gjithë sistemit të drejtësisë drejt asaj që të parandalohet përsëritja e dhunës ndaj vajzave dhe grave tona. Por jo vetëm, ky sistem patjetër që do të shfrytëzohet edhe për raste tjera në parandalim të veprave të ndryshme penale. Por, roli primar është parandalimi i përsëritjes së dhunës ndaj grave tona. Unë besoj që zbatimi efikas i këtij sistemi do të sjell një ndryshim jashtëzakonisht të madh në parandalimin e kësaj vepre të rëndë”, tha Sveçla.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se ky institucion tani ka një mjet më shumë për parandalimin e rasteve të dhunës në familje.
“Qeveria e Kosovës ka ndarë një buxhet të veçantë për këtë projekt dhe ne, Policia e Kosovës ka krijuar një ekip të posaçëm për të negociuar dhe hartuar projektin, dhe gjatë këtij viti kemi arritur që projektin ta kompletojmë, ta nënshkruajmë një kontratë të mirë. Po ashtu, t’i përgatisim ekipet tona të ekspertëve si dhe të IT por edhe policët që hetojnë rastet e dhunës në familje. Është dashur punë e madhe deri në këtë nivel, andaj uroj që të kemi sa më pak raste të dhunës në familje. Sidoqoftë sot e kem një mjet më shumë në parandalimin e rasteve të dhunës në familje dhe rasteve të tjera”, theksoi Hoxha.
Shuma prej 600 mijë eurosh për blerjen e byzylykëve ishte ndarë nga qeveria në prill të vitit të kaluar.
Ligji për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, është në fuqi nga 1 korriku i vitit 2015.
Sipas këtij ligji, mbikëqyrja elektronike bëhet me vendim të gjykatës dhe realizohet përmes vendosjes së një pajisjeje të posaçme (byzylyk) në trupin e personit. I njëjti monitorohet nëse po e tejkalon perimetrin e lejuar nga gjykata.
Nga shoqëria civile vazhdimisht është kërkuar të zbatohet ky ligj, pasi është parë si mjet për rritjen e sigurisë për gratë dhe parandalimin e dhunës në familje.