Qeveria japoneze po planifikon të ofrojë një shtesë prej 80 mijë jenësh (556 €, 592 dollarë) për çiftet që kanë një fëmijë, ndërsa Tokio kërkon mënyra për të ndaluar rënien alarmante të lindshmërisë në vend.
Por sipas kritikëve, kjo s’është e mjaftueshme për t’i bindur njerëzit që po përballen me rritje çmimesh dhe të ardhura të ulëta për të pasur fëmijë.
Sipas disa kritikëve tjerë, edhe më herët u dëshmua se shpenzimi i parave lidhur me këtë problem nuk doli të jetë zgjidhja e duhur.
Aktualisht, prindërit e rinj në Japoni marrin një pagesë prej 420 mijë jen kur lind një fëmijë. Ministria e Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies ka propozuar që kjo shifër të rritet në 500 mijë jen dhe u bë e ditur se shtesa do të hyjë në fuqi në vitin e ardhshëm fiskal, respektivisht më 1 prill të vitit 2023.
Përkeqësimi i kushteve
Nisma vjen pas statistikave më të fundit shqetësuese të popullsisë japoneze. Në vitin 2021 kishte 125.7 milionë japonezë, nga kulmi prej 128 milionë në vitin 2017, ndërsa një studim në revistën mjekësore The Lancet para pandemisë së koronavirusit parashikonte që popullsia totale e Japonisë do të tkurret në 53 milionë deri në fund të shekullit.
Në dekadat e fundit, japonezët kanë zgjedhur martesat e vonshme dhe të kenë më pak fëmijë, një vendim që erdhi kryesisht për shkak të shqetësimeve financiare.
Kjo shifër tani duket mjaft optimiste duke pasur parasysh problemet që i janë sjellë kombit nga pandemia dhe, së fundmi, ndikimi i konfliktit në Ukrainë në ekonominë globale./UBTNews/