Zvicra mund të bëhet shteti i parë në botë që do ta ndalojë testimin e kafshëve nëse një referendum që do të mbahet këtë të diel merr mjaftueshëm mbështetje.
Rreth 80 organizata mbështesin iniciativën e qytetarëve, për të cilën aktivistët e të drejtave të kafshëve thonë se është e vonuar.
“Kafshët nuk duhet të vuajnë për hir të njerëzve, është e thjeshtë”, deklaroi Renato Werndli, një mjek nga Zvicra verilindore, i cili inicioi referendumin.
“Kundërshtarët thonë se është e nevojshme për arsye shkencore, por ne kemi folur edhe me njerëz që zhvillojnë metoda hulumtuese, dhe ata dolën me një konkluzion krejtësisht ndryshe”, shtoi ai më tej.
Por qeveria zvicerane dhe industritë farmaceutike janë kundër ndalimit. Studiuesit paralajmërojnë se ndalimi i testimit të kafshëve – i cili do të ishte i detyrueshëm – mund të parandalojë zhvillimin e barnave të reja dhe të pengojë kërkimet e ardhshme mjekësore në Zvicër. Ata pajtohen se testimi i kafshëve është i rregulluar me një legjislacion që kaloi në vitin 2008.
“Besoj se ka njerëz që mendojnë se të gjitha llojet e eksperimenteve me kafshë janë të panevojshme”, deklaroi Maries van den Broek, prodekane për kërkime në Universitetin e Zyrihut.
Van den Broek beson se eksperimentet që i zhvillojnë shkencëtarët i ndihmojnë ata të bëjnë përparim në fushën e kërkimit mjekësor.
Sa është i përhapur testimi i kafshëve në Zvicër?
Në Zvicër numri i eksperimenteve të kryera në kafshë ka rënë vazhdueshëm vitet e fundit, tregojnë të dhënat e fundit. Nga afërsisht dy milionë eksperimente në vitet 1980, numri ka rënë në 600 mijë çdo vit.
Më shumë se 550 mijë kafshë vdiqën gjatë testimeve në laboratore në vitin 2020, përfshirë këtu 400 mijë minj, afërsisht 4 mijë e 600 qen, 1 mijë e 500 mace dhe 1 mijë e 600 kuaj. Shumica e eksperimenteve në Zvicër janë kryer nga bizneset dhe universitetet.
Lidhur me këtë çështje tashmë janë mbajtur tri referendume. Herën e parë u mbajt referendumi në vitin 1985, ku 70% e njerëzve ishin kundër. Referendumi i dytë u mbajt në vitin 1992, ku 56% e njerëzve ishin kundër, dhe në vitin 1993 ku 72% e kundërshtuan ndalimin.
Dhe sipas matjeve të opinionit publik, referdumi mund të mos kalojë as këtë herë. Sipas sondazheve të fundit, vetëm 26% e zviceranëve janë pro ndalimit të testimit të kafshëve./UBTNews