UBT News

Kosova dhe Luksemburgu diskutojnë për reformat kryesore zhvillimore

Zyra e Kryeministrit të Kosovës dhe Ambasada e Luksemburgut në Kosovë organizuan takimin vjetor të Komisionit të Partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut. Takimi u mbajt virtualisht përmes platformave elektronike.

Gjatë takimit, delegacionet diskutuan në lidhje me progresin dhe sfidat në realizimin e ndihmës së Luksemburgut në Kosovë në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe aftësimit profesional, si dhe të integrimit në BE, në kuadër të marrëveshjes dypalëshe 2017-2020. Palët u pajtuan që memorandumi aktual i mirëkuptimit ndërmjet dy vendeve të zgjatet deri në dhjetor të vitit 2021.

Në hapje të takimit, kreu i delegacionit të Kosovës, Florim Canolli, Drejtor i Zyrës së Bashkëpunimit për Zhvillim, theksoi nevojën e fuqizimit të pronësisë së mbështetjes së donatorëve, si dhe të përcaktimit të pritjeve të përbashkëta me partnerët zhvillimorë. Ai theksoi se “Luksemburgu ka vazhduar ta mbështesë Kosovën në shumë fusha jetike, ndërsa kohëve të fundit ka qenë veçanërisht mbështetës në sektorin e shëndetësisë. Kosova është në proces të krijimit të agjendës afatgjatë të zhvillimit, Agjendës Kombëtare të Zhvillimit, e cila do të formulojë vizionin për dekadën e ardhshme dhe ne do të bashkëpunojmë ngushtë me partnerët zhvillimorë për ta mbështetur rrugën e Kosovës drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe integrimit në BE.”

Kreu i delegacionit të Luksemburgut, Christophe Schiltz, Koordinator i Përgjithshëm i Bashkëpunimit për Zhvillim dhe i Çështjeve Humanitare në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Luksemburgut, shtoi: “Luksemburgu është i përkushtuar ndaj partneritetit të tij me Kosovën, kur bëhet fjalë për bashkëpunimin dypalësh për zhvillim, duke përfshirë luftën kundër pandemisë aktuale COVID-19. Në vitin 2021, Luksemburgu po planifikon një rishikim të brendshëm të mundshëm të bashkëpunimit të tij zhvillimor me Kosovën, i cili do të na mundësojë të shqyrtojmë ndikimin që kanë pasur programet tona të deritanishme, të vlerësojmë qëndrueshmërinë e tyre, si dhe të orientojmë marrëdhëniet tona të ardhshme me Kosovën.”

Gjatë Komisionit të Partneritetit, u bë një përparim i konsiderueshëm në lidhje me vazhdimin e projekteve dypalëshe aktuale të zhvillimit në tri fushat strategjike të bashkëpunimit, veçanërisht në sektorët e shëndetësisë dhe të arsimit, si dhe në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.

Komisioni i ardhshëm i partneritetit ndërmjet Luksemburgut dhe Kosovës do të zhvillohet në vitin 2021./UBTNews

Exit mobile version