Pak më shumë se 10 vjet më parë, 87 vjeçari Huang Yung-fu u përball me një dilemë.
Qeveria e Tajvanit donte të rrëzonte fshatin e tij, në të cilin Huang ishte banori i fundit i mbetur, dhe në vend të tij të ndërtonte një kompleks modern apartamentesh.
Në fillim në këtë fshat kishin jetuar 1200 familje dhe komuniteti ishte shumë i lidhur me njëri-tjetrin, mirëpo me kalimin e kohës të gjithë u larguan ose vdiqën dhe Huang mbeti vetëm.
Kjo ishte edhe arsyeja që qeveria vendosi që këtë hapësirë ta shfrytëzojë për ndërtim të komplekseve luksoze të banesave. Mirëpo, Huang nuk hoqi dorë dhe përmes pikturimit vendosi ta shpëtojë shtëpinë e tij.
Së pari, Huang pikturoi një zog të vogël në një shtëpi njëkatëshe duke vazhduar pastaj të pikturojë mace, zogj dhe figura të tjera nëpër ndërtesat boshe të fshatit.
Kur një student i universitetit lokal dëgjoi për historinë e Huang vendosi të shkojë dhe t’i ndihmojë, transmeton Klankosova.tv.
Ai bëri disa fotografi të fshatit, filloi një fushatë për mbledhjen e fondeve dhe nisi një peticion për ta shpëtuar fshatin nga shkatërrimi.
Gjithçka u bë shpejt virale dhe “Rainbow Grandpa” apo Gjyshi Ylber u bë shumë i njohur.
Duke prekur shumë njerëz, fshati njëherë i vdekur u bë një atraksion për turistët dhe vazhdon të vizitohet nga mbi një milion vizitorë çdo vit.
Më e mira nga e gjithë kjo është se Huang vazhdon të jetojë në shtëpinë e tij, derisa vazhdon edhe ta pikturojë fshatin dhe thotë që këtë do të vazhdojë ta bëjë deri ditën që vdes.