Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka njoftuar se ka rënie të infeksionit me COVID-19 në Gjilan, teksa ka bërë të ditur se aktualisht janë 97 raste aktive me COVID-19.
“Sipas vlerësimeve tona kemi 97 raste aktive me COVID-19 në Gjilan. Është rënie e pritur falë menaxhimit të institucioneve tona. U shprehim ngushëllime familjeve që kanë humbur më të dashurit. Edhe më tutje po luftohet me të panjohurën. Ulja e numrit të infeksionit nuk është numër që lejon komoditet. Festat familjare mund të kenë rritje të infeksionit që është vlerësimi i shtabit emergjent”, ka thënë Haziri në konferencën për media pas mbledhjes së Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Haziri ka apeluar qytetarët që t’i bartin maskat dhe ta mbajnë distancën.
“Mos pranoni shërbime dhe mos jepni shërbime pa masa mbrojtëse. Apeli im i dytë është që të gjitha lokalet e gastronomisë t’i shtojnë masat, t’i shtrëngojnë masat, që të mos pëlcasin burime të reja të infeksionit. Bashkë me Policinë dhe inspektoratin do të reagojmë në përputhje me ligjet në fuqi”, ka thënë Haziri.
Ai ka kërkuar që rastet e dyshimta me simptoma për virusin të lajmërohen te mjeku, në mënyrë që të parandalohet infeksioni në masë.
Kreu i Gjilanit, po ashtu tha se nëse e përballojmë janarin me numër të vogël dhe pa raste të vdekjeve, atëherë po hyjmë në muajin e shpresës.
“Meqë e kemi në ardhje vaksinën, të luftojmë bashkë për t’i mbrojtur njerëzit tanë”, shtoi Haziri.
Që nga fillimi i pandemisë në Gjilan janë kryer 8 mijë e 2 testime, 3 mijë e 97 raste rezultuan pozitive me COVID-19, 2 mijë e 907 janë shëruar, 96 kanë vdekur, si dhe raste aktive janë 97.
Bëhet e ditur se 26 pacientë janë të hospitalizuar, ndërkaq 70 mostra në pritje të rezultatit./UBTNews