Boris Romanchenko, 96 vjeç, i mbijetoi katër kampeve naziste, por jeta e tij përfundoi të premten e kaluar nga një sulm rus në Kharkiv, sipas institutit përkujtimor Buchenwald, përcjell UBT News.
Instituti tha në një seri postimesh në Twitter se sipas mbesës së tij, Romanchenko jetonte në një bllok apartamentesh në Kharkiv që u godit gjatë një sulmi rus.
Instituti tha se Romanchenko i kishte mbijetuar kampeve të përqendrimit në Buchenwald, Peenemünde, Dora dhe Bergen-Belsen gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Romanchenko punoi “intensivisht në kujtimin e krimeve naziste dhe ishte nënkryetar i Komitetit Ndërkombëtar Buchenwald-Dora”, tha instituti.
Në vitin 2012, Romanchenko mori pjesë në një ngjarje që kujtonte çlirimin e Buchenwald, ku lexoi një betim kushtuar “krijimit të një bote të re ku mbretëron paqja dhe liria”, thuhej në memorial./UBTNews/