Për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19, objekti i Mjekësisë Sportive është i mbushur me pacientë.
Menaxheri i kësaj klinike, Artan Ahmeti tha se në këtë klinikë kanë mbetur edhe katër shtretër të lirë për personat që kërkojnë hospitalizim. Por Ahmeti sqaroi se gjatë ditës mund të rritet edhe numri i vendeve të lira.
“Në këtë klinikë ka pak vende të lira, realisht sot i kemi vetëm katër vende të lira në këtë mëngjes, por gjatë ditës sigurisht do të rritet numri i vendeve të lira, përndryshe tash ekziston edhe Klinika Infektive 3, kur ajo është paraparë për pacientët e ri të cilët do të kërkojnë hospitalizim”, deklaroi ai.
Menaxheri i kësaj klinike thotë se numri i pacientëve me Covid-19 që po trajtohen në Mjekësinë Sportive është 90.
“Në Klinikën Infektive 2 ose objekti i Mjekësisë Sportive, kapacitetet janë të mbushura në dy javët e fundit, pra kapacitetet maksimale i kemi 95 pacientë dhe gjithashtu i kemi tri raste të cilat janë për çështje të dializës tri vende të lira në të cilat pacientët që janë të hospitalizuar këtu, por kanë nevojë edhe për hemodializë. Gjatë këtyre dy javëve të fundit kemi pranime dhe lirime, dhe numri i pacientëve është rreth 90”, shtoi ai.
Ndërsa sa i përket moshës që është më e atakuar nga Covid-19 në Klinikën “Covid 2”, ai tha se të gjitha moshat janë prezente.
“Realisht nuk kemi ndonjë kufizim të madh të moshës, të gjitha moshat janë prezent këtu prej atyre të cilët janë të moshës mesatare dhe deri te të moshuarit që janë mbi moshën 80-vjeçare, kurse për moshën pediatrike kujdeset klinika e Pediatrisë”, shtoi ai.
Në Kosovë aktualisht janë 13 mijë e 726 raste aktive me COVID-19.