Më 9 qershor 1999 u nënshkrua Marrëveshja ushtarako-teknike e Kumanovës mes NATO-s dhe Republikës Federale të Jugosllavisë, e cila shënoi kapitullimin e forcave serbe dhe fundin e luftës në Kosovë. Kjo marrëveshje historike i hapi rrugë tërheqjes së plotë të trupave ushtarake dhe policore të Serbisë nga territori i Kosovës.
Dokumenti u nënshkrua në afërsi të Kumanovës nga komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, gjenerali britanik Michael Jackson, dhe shefi i atëhershëm i Shtabit të Ushtrisë Jugosllave, gjenerali Nebojsha Pavkoviq – më pas i akuzuar për krime lufte dhe gjenocid në Tribunalin e Hagës.
Marrëveshja hyri në fuqi më 11 qershor 1999 dhe pasoi një fushatë 78-ditore bombardimesh të NATO-s mbi caqet serbe, si përgjigje ndaj spastrimit etnik dhe krimeve të luftës të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. Gjatë luftës, më shumë se 10 mijë shqiptarë u vranë, rreth 5 mijë mbeten të zhdukur, ndërsa mbi 1 milion qytetarë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Serbia ishte e detyruar të largonte nga Kosova të gjitha forcat me kapacitet ushtarak, përfshirë ushtrinë, policinë, njësitë speciale, paramilitarët dhe shërbimet sekrete. Gjithashtu u vendosën kufizime të rrepta për prezencën ushtarake në zonat kufitare me Kosovën: një brez ajror sigurie prej 25 kilometrash dhe një brez tokësor prej 5 kilometrash ku ndalohej vendosja e armatimeve të rënda.
Vetëm dy ditë më vonë, më 12 qershor 1999, trupat e para të këmbësorisë së NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar zyrtarisht fillimin e një epoke të re për vendin. Më 10 qershor, NATO ndaloi bombardimet dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, përmes së cilës në Kosovë u vendos misioni ndërkombëtar paqeruajtës KFOR me 37.200 ushtarë nga 36 shtete.
KFOR-i mori përgjegjësinë për sigurinë në pesë zona të ndara: amerikane, britanike, franceze, gjermane dhe italiane. Në të njëjtën kohë u vendos edhe Misioni i Përkohshëm Administrativ i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), që do të udhëhiqte procesin e rindërtimit dhe administrimit civil të vendit.
Pas përfundimit të luftës, edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) u shpërbë dhe u transformua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), si një forcë e re në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare.
Sot, 26 vjet më pas, Marrëveshja e Kumanovës mbetet një nga gurët themeltarë të shtetformimit të Kosovës dhe një simbol i triumfit ndaj shtypjes dhe dhunës.