Së paku 89 persona, në mesin e tyre 17 fëmijë, u infektuan me virusin Zika pas rritjes së rasteve në qytetin indian të Kanpurit, njoftoi departamenti i shëndetësisë të hënën.
Ky virus që së pari u shfaq në vitin 1947 e që transmetohet nga mushkonjat, mori përmasa epidemike në vitin 2015 në Brazil, ku mijëra foshnje u lindën me mikrocefali, një çrregullim që bën që foshnjat të lindin me kokë të vogël dhe tru të pazhvilluar.
“Ka rritje të rasteve me virusin Zika dhe departamenti i shëndetësisë ka formuar disa ekipe për të frenuar përhapjen”, deklaroi Nepal Singh, shefi mjekësor i distriktit Kanpur në shtetin më të populluar të Indisë, Uttar Pradesh.
Vitet e fundit shumë raste janë raportuar në shtetet indiane, megjithëse Amit Mohan Prasad, zyrtari më i lartë i qeverisë së Uttar Pradesh për shëndetin dhe mirëqenien familjare, i tha Reuters se ky është shpërthimi i parë në vend.
Rasti i parë me virusin Zika në qytetin industrial të Kanpurit u shfaq më 23 tetor dhe numri i rasteve është rritur gjatë javës së kaluar./UBTNews