Institucionet përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor thonë se do ta mbrojnë votën e sovranit dhe për këtë deklaruan se kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që dita e zgjedhjeve të shkojë mirë.
Kështu u bë e ditur në një takim ndër-institucional në mes të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Prokuroria e Shtetit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Komisioni i Pavarur i Medieve dhe Koalicioni i OJQ-ve të cilët u koordinuan për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor më 14 shkurt.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka deklaroi se përkundër që KQZ ka barrën kryesore për organizimin e procesit zgjedhor, bashkëpunimi ndërinstitucional ka qëllim që procesi zgjedhor të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe të reagojnë kur cenohet integriteti i zgjedhjeve dhe e drejta e votës.
Ndonëse koha për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit është e shkurtër, Daka garantoi të gjithë qytetarët se procesi zgjedhor do të organizohet sipas Kushtetutës dhe Ligjeve në fuqi.
“Sipas Kushtetutës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka barrën kryesore për organizimin e proceseve zgjedhore në Republikën e Kosovës, por jemi të vetëdijshëm se bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për t’i shërbyer zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Qëllimi ynë i përbashkët është që procesi zgjedhor të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe të reagojmë kur cenohet integriteti i zgjedhjeve dhe e drejta e votës. Mes sfidave të shumta, përfshirë këtu edhe kohën e shkurtër, KQZ është duke u përkushtuar maksimalisht në përmbushjen e detyrave që dalin nga Kushtetuta dhe Ligji në fuqi për Zgjedhjet e Përgjithshme. Prandaj, në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dua të garantoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces zgjedhor dhe sidomos qytetarët tanë, se KQZ-ja mbetet e përkushtuar për organizimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës, Ligjeve në fuqi dhe me standardet më të mira ndërkombëtare”, tha Daka.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti u shpreh se pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit ky institucion ka hartuar urdhrin operativ dhe planet operacionale që të krijohet një klimë e sigurt ku të gjithë qytetarët e Kosovës në mënyrë demokratike do kenë mundësi që ta shprehi vullnetin e tyre me votë.
“Qëllimi i këtij urdhri është krijimi i një klime të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës gjatë tërë procesit zgjedhor. Mbajtja e rendit dhe qetësisë dhe sigurisë publike në vende para gjatë dhe pas procesit zgjedhor, monitorimi dhe ndërmarrja e masave policore para, gjatë dhe deri në përfundim të procesit zgjedhor sigurimi i Qendrave të Votimit, Këshillave Komunale të Zgjedhjeve, depove komunale, Qendrës për Numërimin e Rezultateve dhe Depos Qendrore, përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjitha materialeve sensitive zgjedhore nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundim të operacionit”, u shpreh ai.
Laura Pula nga Kryeprokurori i Shtetit tha se sistemi prokurorial i Kosovës është angazhuar në mbrojtjen e votës së qytetarëve. Ajo bëri të ditur se 88 prokurorë janë angazhuar që të jenë gardian të votës së sovranit.
Madje ajo paralajmëroi arrestime për të gjithë ata që tentojnë të manipulojnë apo keqpërdorin votën e qytetarëve.
“Kemi caktuar 88 prokurorë dhe 40 zyrtarë nga sistemi prokurorial të cilët do të jenë gardian të mbrojtjes votës ditën e zgjedhjeve dhe këtë për të siguruar një efikasitet dhe mbrojtje të votës së lirë. Tani më Policia e Kosovës dhe së bashku me Prokurorinë e Shtetit kanë finalizuar edhe dokumentin strategjik procedurat standarde të veprimit. Prokurori i Shtetit së bashku me Policinë e Kosovës do t’i arrestojë dhe do t’i ndalojë të gjithë votuesit dhe zyrtarët përgjegjës qe në çfarëdo mënyre tentojnë apo ndikojnë në keqpërdorimin e votës së lirë të sovranit në Republikën e Kosovës”, tha Pula.
Ndërsa, Fatime Dermaku koordinatore për zbatim të memorandumit nga Këshilli Gjyqësori Kosovës tha se KGJK ka angazhuar 30 gjyqtarë në nivel vendi të cilët do jenë kujdestar në ditën e zgjedhjeve. Ajo tha se në të gjitha rajonet e Kosovës do të kenë gjyqtarë të caktuar që do t’i përgjigjen të gjitha kërkesave të Prokurorisë së Kosovës.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës në kuadër të kompetencave të tij ka angazhuar 30 gjyqtarë në nivel vendi për ditën e zgjedhjeve të cilët do jenë kujdestar dhe do t’iu përgjigjen të gjitha kërkesave eventuale nga Prokuroria për masat që vijnë për shkelësit eventual të ligjit që kanë të bëjnë me të drejtën e zgjedhjeve. Në Gjykatën Themelore në Prishtinë kemi caktuar 8 gjyqtarë, një gjyqtar vjen nga departamenti special të gjitha veprat penale që bien në kompetencë të këtij departamenti jemi të gatshëm t’i përgjigjemi menjëherë. Nga departamenti i krimeve të rënda kemi 2 gjyqtarë në kuadër të regjionit të Prishtinës. Kemi 5 gjyqtarë të tjerë që janë në gatishmëri për departamentin e përgjithshëm. Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar 4 gjyqtarë, 1 në departamentin e krimeve të rënda dhe 3 në departamentin e përgjithshëm”, tha ajo.
Ndërsa, kryesuesi i Panelit Zgjedhor dhe Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Shukri Sylejmani tha se edhe ky institucion ka kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për t’iu përgjigjur të gjitha ankesave dhe apeleve që dalin nga zgjedhjet e 14 shkurtit.
“PZAP ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për kryerjen e të gjitha aktiviteteve që janë në mandatin e PZAP-së. Të gjithë anëtarët e PZAP-së si dhe stafi i sekretariatit janë të gatshëm për shqyrtimin e të gjitha ankesave dhe apeleve që dalin prej këtyre zgjedhjeve. Zotohemi se do të përmbushim të gjitha obligimet që janë të përcaktuara me memorandum, dhe të cilat obligime janë në përputhje me ligjin mbi zgjedhjeve të përgjithshme”, theksoi Sylejmani.