Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci në një konferencë për medie ka njoftuar që kanë bërë të gjitha përgatitjet që vitit i ri shkollor të fillojë me prezencë fizike më 13 shtator.
Pupovci thotë se rekomandimet e fundit të ardhura nga OBSh-ja janë që shkollat mund të zhvillojnë mësimin me prezencë fizike. Ai ka shtuar se sipas të dhënave që kanë deri më tani, janë vaksinuar 77% e mësimdhënësve dhe mbi 2 mijë nxënës.
“Parashihen skenarët A, B, C dhe është shtuar skenari i rikthimit në shkolla me prezencë të plotë. Javën e ardhshme kemi takim me drejtoritë komunale dhe SBAShK-un. Sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve, shkalla e vaksinimit është 77%, kurse janë vaksinuar 2369 nxënës. Rekomandimet e fundit të OBSh-së janë që shkollat të qëndrojnë të hapura”, deklaroi ai.
Ai ftoi mësimdhënësit që të vaksinohen, duke shtuar se nëse nuk e marrin vaksinën çdo 72 orë duhet të sjellin testin PCR që janë negativ.
“Nëse nuk sjellin testin nuk mund të hyjnë në klasë”, tha ai.
Sipas tij, shpërndarja e teksteve shkollore do të përfundojë me kohë për klasat nga e para deri në të nëntën dhe do të ofrohen falas.