Sipas Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave (ZMNV), gjatë periudhës 21–28 gusht 2026, Mbrojtësit e Viktimave në nivel të Republikës së Kosovës kanë trajtuar gjithsej 74 raste të reja.
Nga këto raste, 69 kanë qenë raste të dhunës në familje, dy raste të dhunimit, një grabitje, një rast i shkeljes së urdhrit të mbrojtjes dhe një rast i lëndimit të lehtë trupor.
Gjatë kësaj periudhe janë parashtruar edhe 4 kërkesa për urdhër mbrojtjeje, 19 kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente, si dhe një kërkesë për urdhër mbrojtjeje emergjente të përkohshëm.
ZMNV ka bërë të ditur se janë trajtuar gjithashtu 67 seanca gjyqësore dhe 15 seanca në Prokurori, ndërsa viktimave u janë ofruar 76 këshilla juridike.
Në kuadër të procedurave janë regjistruar edhe 4 aktgjykime dënuese, një aktgjykim refuzues dhe një aktgjykim lirues.
Gjatë kësaj periudhe janë bërë edhe referime të rasteve në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, Qendrat për Punë Sociale, polici dhe strehimore, ndërsa janë trajtuar edhe kërkesa dhe vendime lidhur me kompensimin e viktimave.
Të dhënat tregojnë se dhuna në familje përbën shumicën dërrmuese të rasteve të trajtuara nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave gjatë kësaj jave./A.K/
