Nëse nuk e dini saktë se për çfarë bëhet fjalë, besojmë se e keni dëgjuar apo keni lexuar kuptimin e këtij çrregullimi.
ADHD është një çrregullim i hiperaktivitetit të deficitit të vëmendjes dhe sipas profesionistëve, është gjendje e zakonshme e shëndetit mendor që prek fëmijët, por ky çrregullim prek edhe personat në moshë madhore.
Nëse dyshoni se mund të vuani nga kjo, ja disa shenja të specifikuara sipas “Manualit Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore”.
Sjelljet impulsive – Impulsiviteti është tipar tregues i ADHD-së dhe përfshihen nga blerjet e panevojshme, deri te vendimet që lidhen me papërgjegjshmërinë financiare, si marrja e borxheve apo harxhimi i kursimeve.
Probleme me prioritizimin dhe organizimin e gjërave – Të qenit të organizuar nga mëngjesi në darkë mund të jetë qasje e vështirë për këdo, por për personat me ADHD bëhet edhe më sfiduese. Një detaj tjetër që ndikon është edhe funksioni i dobësuar i pjesës së trurit që kontrollon sjelljen, emocionet, vëmendjen dhe organizimin.
Vështirësi në menaxhimin e kohës – Tjetër simptomë është vështirësia në menaxhimin e kohës. Jo vetëm mbërritja me vonesë në takim a vend të caktuar, por mungesa e përmbushjes së afateve për detyra të caktuara, dëmton marrëdhëniet personale, ato profesionale etj.
Probleme me përqendrimin – Një nga simptomat më të njohura të ADHD-së, falë funksionit të zvogëluar të korteksit paraballor. Çdo gjë mund të tërheqë fokusin e këtyre personave, nga zhurmat, njerëzit që flasin etj.
Fokusimi i lartë në detyra – Disa përjetojnë fokusim të lartë, kjo ndodh kur personi është i emocionuar a entuziast për punën e tij.
Ndiheni të shqetësuar – Të qenit i/e shqetësuar është gjendja që shumica e njerëzve e lidhin me ADHD-në, sidomos te fëmijët. Lëvizja e duarve, këmbëve, lëvizja e karriges ku këta persona ulen janë një tjetër shenjë për këtë çrregullim.
Vështirësi për të kontrolluar emocionet – Ndjeshmëria emocionale dhe problemet me kontrollin e emocioneve janë shenja më të dukshme të ADHD-së. Frika se mos kritikohen apo refuzohen nga të tjerët, i shtyn drejt kësaj qasjeje. /UBT News/