Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka shqiptuar 622 gjoba për qytetarët që s’i respektuan masat antiCOVID.
Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës vendosi masa të reja antiCOVID. Masat e marra parashohin tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.
Komunat me rrezik të lartë të infeksionit janë ato që kanë mbi 150 persona të infektuar në 100.000 brenda javës. Në këto komuna, ndalohen hyrjet dhe daljet e qytetarëve dhe automjeteve nga ora 19:00 deri ne orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore, duke përjashtuar nga kjo masë personelin shëndetësor, të sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme.
Komunat me rrezik të mesëm të infeksionit janë ato që kanë prej 76 deri në 150 persona të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Komunat të cilat bëjnë pjesë në zonën e verdhë, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00. Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 18:00, pas orës 18:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.
Komunat me rrezik të ulët të infeksionit janë ato që kanë 1 deri në 75 persona të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në komunat që hyjnë në këtë zonë me rrezik më të ulët të përhapjes së koronavirusit, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00./UBTNews