UBT News

573 raste aktive në Gjilan, bëhet thirrje për kujdes

Në komunën e Gjilanit aktualisht janë 573 raste aktive me COVID-19. I pari i kësaj komune, Lutfi Haziri, pas takimit me Komitetin e Emergjencave deklaroi se po kalojnë ditët më të vështira të përballjes me pandeminë e pamëshirshme.

Haziri në një konferencë për media njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit ka vdekur edhe një bashkëqytetar.

“Fatkeqësisht, brenda 24 orëve e kemi humbur edhe një basshkëqytetar dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes. Kufizimi i lëvizjes po respektohet sikurse edhe nga ana e gastronomisë. Besoj që me solidaritet do ta përballojmë këtë situatë e vështirë”, tha Haziri, në konferencën për media.

Ai pohoi se përkundër rritjes së numrit të rasteve pozitive, në Gjilan gjendja është nën kontroll, duke shtuar se të gjitha rastet që janë të infektuar, janë në monitorim të plotë 24 orë e shtatë ditë.

Në këtë konferencë ka folur edhe drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm, dr,. Ukshin Ismaili, dhe drejtoresha e QKMF’së, dr. Arbenita Hajdari, të cilët kanë apeluar qytetarët për kujdes, ta bartin maskën dhe higjienën.

“Gjendja e përgjithshme në Gjilan është kjo: Nga 6 mijë e 63 mostra, 2 mijë e 164 persona kanë rezultuar pozitivë, 1 mijë e 528 janë shëruar, janë 573 raste aktive, 63 të vdekur, 66 të hospitalizuar dhe 180 mostra në pritje për rezultat”, thuhet në njoftimin e komunës së Gjilanit./UBTNews

Exit mobile version