51 të infektuar me COVID-19 në Shtëpinë e Personave të Moshuar në Prishtinë janë të evidentuar deri më tani. Kështu ka deklaruar në një intervistë për Ekonomia Online, drejtoresha Raze Aliçkaj, duke shtuar se të gjithë banorët rezidentë që jetojnë në këtë institucion janë në listë për të marrë vaksinën kundër Covid-19.
Aliçkaj tha se asnjë nga rastet e prekura me Covid-19 nuk ka përfunduar me fatalitet, si dhe gjendja e të moshuarve është stabile.
“Deri më tani gjithsej kanë qenë të infektuar 51 banorë rezidentë dhe një numër shumë i madh i stafit, por që fatmirësisht të gjithë e kanë kaluar mirë. Nuk kemi pasur raste të vdekjes nga COVID-19 as nga rezidentët dhe as nga stafi fatmirësisht, aktualisht është një gjendje shumë e mirë, nuk kemi të infektuar as nga rezidentët, por as nga stafi”, tha drejtoresha Aliçkaj.
Tutje, ajo thotë se nuk kanë pasur probleme me furnizim të barnave, duke shtuar se të gjitha kërkesat e këtij institucioni janë realizuar.
“Në kuadër të masave preventive, në fillim e kemi formuar Shtabin Emergjent i cili e ka kryer punën e vet, e cila i është caktuar brenda institucionit, furnizimi me medikamente ka qenë i mirë nuk kemi pasur probleme, për arsye se furnitori është i kontraktuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me material mbështetës dhe mbrojtës jemi furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë, dhe i kanë realizuar të gjitha kërkesat tona”, tha ajo për Ekonomia Online.
Nga gjithsej 65 banorë rezidentë sa janë, 38 gra dhe 27 burra, tashmë kanë hyrë në listën për t’u vaksinuar, kështu bëri të ditur Aliçkaj, e cila tha që banorët këtu po presin me padurim të vaksinohen.
“Ka qenë data 13 mars kur e kemi dërguar listën e banorëve të moshuar që presin për t’u vaksinuar, tash pas ardhjes së vaksinave ku aktualisht janë 65 rezidentë, prej tyre 38 femra e 27 meshkuj, dhe numri i punëtorëve është 52”, theksoi tutje ajo.
Tutje ajo theksoi se pandemia i ka shqetësuar mjaft shumë banorët në këtë Shtëpi.
“Shtëpia e Personave të Moshuar pa përkujdesje familjare, të gjithë e dimë që është një ndër institucionet më të ndjeshme në nivel vendi duke e pasur parasysh që banorët e saj janë në një moshë të shtyre dhe i shoqërojnë edhe sëmundjet e ndryshme kronike dhe kardiovaskulare. Në fillim neve pandemia na ka shqetësuar shumë, mirëpo jemi munduar që me një menaxhim të mirëfilltë bashkë me stafin të ia dalim, kemi dhënë shumë rekomandime, qe ta kuptojnë gjendjen serioze që është ende aktuale. Në fillim kemi pasur shumë vështirësi, sepse disa nuk e pranonin e disa e merrnin si jo shumë të rrezikshme, mirëpo kemi punuar për vetëdijesimin e tyre”, u shpreh drejtoresha.
Aliçkaj tregoi që gjatë pandemisë kanë kërkuar dhe staf vullnetar dhe praktikantë që të kenë më të lehtë punën dhe menaxhimin me të moshuarit sidomos gjatë përballjes me COVID-19.
“Kemi kërkuar vullnetarë dhe praktikantë, që të punojnë në një periudhë kohore për të na ndihmuar në kohë pandemie dhe mund të themi që kemi staf të mjaftueshëm. Por gjithmonë jemi munduar që ta zbusim situatën me pandeminë dhe ta ruajmë qetësinë, dhe besoj që kemi bërë një punë shumë të mirë”, përfundoi ajo.