Një burrë është arrestuar pasi një automjet goditi dhjetëra njerëz në Water Street që po festonin titullin e Premier League të Liverpool FC të hënën, thanë autoritetet.
Ndihmësshefe e Policisë së Merseyside, Jenny Sims, tha në një konferencë për shtyp të hënën në mbrëmje se një 53-vjeçar britanik i bardhë nga zona e Liverpulit u arrestua në lidhje me incidentin, i cili “nuk po trajtohet si terrorizëm”.
Të paktën 27 persona u dërguan në spital, shpjegoi David Kitchen i Shërbimit të Ambulancës Veriperëndimore, pasi deklaroi se të gjithë ishin “të tmerruar dhe të trishtuar” nga incidenti.
Ai shtoi se 20 persona të tjerë u trajtuan në vend për lëndime të lehta, ndërsa disa të tjerë të panjohur raportuan në spitalet e qytetit. Midis të plagosurve ishin edhe katër fëmijë.
Katër persona tre të rritur dhe një fëmijë, u desh të shpëtoheshin nga poshtë automjetit, sipas Shefit të Zjarrfikësve të Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Merseyside, Nick Searle.
Autoritetet u kërkuan përsëri njerëzve të mos spekulojnë më tej mbi rrethanat dhe të përmbahen nga shpërndarja e pamjeve të incidentit në mediat sociale.
Më herët të hënën, shërbimet e emergjencës kishin ngritur tenda dhe një restorant aty pranë u përdor si qendër mjekësore emergjente, raportuan mediat vendase.