Të paktën pesë persona u vranë kur një sulmues vetëvrasës shpërtheu një mjet shpërthyes pranë një banke në verilindje të Afganistanit, tha sot policia.
Sulmi ndodhi në orën 8:35 të mëngjesit të sotëm përpara një dege të Kabul Bank në provincën Kunduz, raportoi Reuters.
Sipas të dhënave të policisë, u vra një roje e sigurisë së bankës, si dhe katër persona të tjerë, përfshirë civilë dhe anëtarë të qeverisë talebane.
Shtatë persona u plagosën, tha zëdhënësi i policisë Juma Uddin Kakasr.
Ai nuk tha se kush mund të jetë përgjegjës për sulmin dhe asnjë grup nuk e ka marrë ende përgjegjësinë.
Grupet militante, duke përfshirë degët e Shtetit Islamik në Afganistan, kanë luftuar kundër talebanëve për një kohë të gjatë që kur ata morën pushtetin në vitin 2021, thekson agjencia.
Autoritetet talebane pretendojnë se e kanë mundur kryesisht grupin, megjithëse ai vazhdon të kryejë sulme në të gjithë vendin.