Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë u regjistruan 48 raste të reja me COVID-19. Këtë e ka konfirmuar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili tha se brenda 24 orëve nga 645 testime sa janë bërë, 48 kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.
Zemaj në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Ligji për Parandalimin e përhapjes së COVID-19, i ka dhënë MSh-së më shumë kompetenca për të ushtruar rolin e saj prej lideri në menaxhimin e pandemisë COVID-19, por u ka dhënë edhe ministrive dhe agjencive të tjera përgjegjësi për ta zbatuar këtë ligj.
Ministri Zemaj u ka kërkuar qytetarëve kujdes të shtuar dhe respektim të masave.
“Nga ky takim, ju bëj thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të zbatojnë më përgjegjësinë më të lartë masat mbrojtëse duke bartur maskën, ruajtur distancën dhe higjienën, sepse vetëm kështu mund t’ia dalim së bashku.”, shkroi ai mes tjerash.
Zemaj tha se do të shtojnë numrin e inspektorëve për 75, që bashkë me Policinë e Kosovës do të ndihmojnë në zbatimin e masave të reja./UBTNews