Policia e Kosovës përmes një komunikate për media e ka konfirmuar se ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orëve për Arbon Rifatin dhe Daut Mehmetin.
Trajneri kosovar, Arbnor Rifati dhe gjyqtari Daut Mehmeti janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës nën akuzat për kurdisje të ndeshjeve, pas një aksioni nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, raporton KosovaPress.
Policia e konfirmoi se të dyshuarit në fjalë akuzohen për kurdisje të ndeshjeve, dhe se u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
“Sektori i Hetimeve Financiare i DHKEK, më 30.06.2023 ka zbatuar urdhër kontrollin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për kontroll në dy lokacione të ndara, njëra në Prishtinë dhe tjetra në Prizren. Urdhër-kontrolli është zhvilluar me qëllim të sigurimit të dëshmive shtesë dhe arrestimin e dy të dyshuarve në lidhje me veprën penale ‘kurdisje e ndeshjes ose sportit’.
I dyshuari i parë (refer me licencë ndërkombëtare), dyshohet të ketë kurdisur ndeshjet basketbollistike në kuadër të Super ligës së Kosovës, Ligës Unike Kombëtare dhe Ligës Ballkanike, veprimet i ka kryer në bashkëveprim me të dyshuarin e dytë (trajner basketbolli).
Të dyshuarit i kanë kryer këto veprime me qëllim të përfitimit material. Po ashtu, i dyshuari i parë, ka bashkëvepruar edhe me refer dhe trajner ndërkombëtar në kurdisjen e lojërave basketbollistike, me qëllim të fitimit të basteve. Gjatë kontrollit janë sekuestruar disa fletëpagesa, katër telefona dhe dy shtëpiza të kompjuterit.
Të dyshuarve pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.