Në takimin e rregullt të Shtabit Emergjent Lokal të Podujevës, u diskutua për situatën epidemologjike në këtë komunë.
Në takimin e Shtabit u tha se trendi i rritjes së rasteve me COVID-19, ditëve të fundit e ka përfshirë edhe komunën e Podujevës dhe ka rritje për 100% të numrit të personave të infektuar, krahasuar me një javë më herët.
“Lehtësimi i masave dhe mosrespektimi i rekomandimeve, hapja si shkak i fillimit të procesit mësimor, lejimi i ceremonive fetare, lejimi i gastronomisë me orar të plotë dhe numri i bashkatëdhetarëve që kanë hyrë në Kosovë gjatë javëve të fundit janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e numrit të personave të infektuar”, tha nënkryetari Nexhmi Rudari.
Më tej nënkryetari Rudari tha se kjo gjendje e krijuar kërkon rritjen e vëmendjes për secilin prej nesh se virusi është prezent dhe se rekomandimet duhet të zbatohen me përpikëri, si e vetmja mundësi për ta shmangur kthimin në masat shtrënguese.
Në Komunën e Podujevës aktualisht janë 47 raste aktive me COVID-19, 657 të infektuar deri tash, 589 të shëruar dhe 21 raste të vdekjes.
Komuna njofton se pavarësisht gjendjes epidemiologjike, procesi mësimor në të gjitha shkollat është duke u zhvilluar normalisht, konform vendimeve të Ministrisë së Arsimit.
Shtabi Emergjent apelon dhe ju bën thirrje të gjithë qytetarëve të komunës së Podujevës, që t’i respektojnë masat anti-Covid, ta mbajnë maskën dhe distancën, t’i dezinfektojnë duart dhe të kujdesen për higjienën./UBTNews