Një aksident tragjik ka ndodhur në autostradën Kampala-Gulu në Uganda, ku 46 persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë lënduar.
Aksidenti ndodhi rreth orës 00:15 lokale, kur dy autobusë që udhëtonin në drejtime të kundërta u përplasën ballë për ballë ndërsa përpiqeshin të parakalonin një kamion dhe një makinë. Një nga autobusët devijoi në përpjekje për të shmangur përplasjen, por kjo shkaktoi një “reaksion zinxhiri” ku disa mjete të tjera humbën kontrollin dhe u përmbysën.
Të lënduarit janë dërguar në spitalet e qytetit Kiryandongo, ndërsa policia po heton shkaqet e aksidentit dhe po verifikon numrin e viktimave dhe të lënduarve.
Sipas BBC, autoritetet kanë theksuar se parakalimet e rrezikshme mbeten një nga shkaqet kryesore të aksidenteve në vend dhe kanë bërë thirrje për më shumë kujdes nga shoferët.
Presidenti Yoweri Museveni shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave dhe urdhëroi që secilës familje të viktimave t’i jepet kompensim prej pesë milionë shilingë (rreth 1,430 dollarë) dhe një milion shilingë për të lënduarit.
Autostrada Kampala-Gulu, që lidh kryeqytetin në jug me qytetin verior, është një nga rrugët më të frekuentuara në vend dhe incidenti thekson nevojën për respektimin e rregullave të trafikut dhe kujdesin maksimal në udhëtime/KP