UBT News

Karl Stefanovic drejt largimit nga Nine Entertainment pas reagimeve për podcastin

Njëri nga prezantuesit më të njohur televizivë në Australi, Karl Stefanovic, raportohet se është pranë largimit nga rrjeti Nine Entertainment, pas reagimeve të forta ndaj podcastit të tij, veçanërisht pas një interviste me aktivistin britanik të ekstremit të djathtë, Tommy Robinson.

Stefanovic, i njohur prej vitesh si prezantuesi kryesor i programit të mëngjesit Today, kishte nisur në janar një podcast të pavarur ku ka intervistuar figura të ndryshme kontroverse. Megjithatë, episodi i fundit me Robinson është tërhequr nga platformat online vetëm disa orë pas publikimit, pas reagimeve negative të publikut dhe reklamuesve në Australi.

Sipas mediave lokale, Nine Entertainment është në negociata për përfundimin e kontratës së tij, e cila ishte paraparë të skadonte në fund të vitit. Edhe pse kompania nuk e ka konfirmuar zyrtarisht largimin, ajo është distancuar publikisht nga përmbajtja e podcastit, duke theksuar se bëhet fjalë për një prodhim të pavarur.

Gjatë intervistës 55-minutëshe, Stefanovic deklaroi se e admironte “vendosmërinë” dhe “guximin” e Robinsonit për të mbrojtur bindjet e tij. Në materialin promovues të episodit, ai u pa gjithashtu duke e përqafuar Robinsonin dhe duke përdorur një term ofendues ndaj kryeministrit britanik në largim, Keir Starmer.

Ky rast ka nxitur reagime të shumta në Australi, ku gazetarë të Nine dhe disa reklamues kanë shprehur shqetësime për ndikimin e podcastit në reputacionin editorial të rrjetit.

Stefanovic ka pasur edhe më herët momente kontroverse gjatë karrierës së tij të gjatë në televizion, përfshirë një paraqitje në transmetim live pas konsumimit të alkoolit dhe një incident ku u detyrua të kërkonte falje për komente të bëra ndaj një kolegeje.

Ai u tërhoq nga emisioni Today në vitin 2018 për shkak të rënies së shikueshmërisë dhe vëmendjes mediatike rreth jetës së tij personale, por u rikthye një vit më vonë.

Pavarësisht polemikave, Stefanovic mbetet një nga figurat më të njohura të televizionit australian.

Burimi: BBC/A.K/

Exit mobile version