UBT News

45 fëmijë dhe 20 të rritur janë prekur nga meningjiti në Kosovë

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nga muaji korrik i këtij viti, e deri më sot, janë trajtuar 45 pacientë me meningjit tek moshat pediatrike dhe 20 raste te të rriturit.

Dy muajt e fundit vërehet rritje e numrit të pacientëve krahasuar me muajt paraprak, por situata është nën kontroll të plotë dhe Klinika Infektive ka kapacitete të mjaftueshme profesionale dhe hapësinore për të trajtuar pacientët.

Aktualisht, në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 11 raste me meningjit, 2 prej tyre pediatrike.
Nga muaji janar, deri në muajin korrik të këtij viti në trajtim ishin 38 pacientë.

Këto shifra u bënë të ditura gjatë takimit që pati drejtori përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, me drejtorin e Klinikës Infektive, Arben Vishaj dhe stafin e klinikës.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës apelon tek qytetarët të respektojnë me përpikëri masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Shkaktar i sindromës meningjeale janë infeksionet bakteriale ose virale. Ndërsa, si rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije.

Exit mobile version