Aktivistja suedeze Greta Thunberg do të deportohet në Greqi të hënën pasi u ndalua në bordin e anijes Global Sumud Flotilla, e cila po lundronte drejt Rripit të Gazës për të thyer bllokadën izraelite, raportoi të dielën kanali izraelit i24News, sipas Anadolu.
Kanali tha se Thunberg do të mbërrijë në Greqi së bashku me shtetasit grekë që u ndaluan gjithashtu nga Izraeli pasi morën pjesë në flotilje. Tutje u tha gjithsej 165 aktivistë do të deportohen me fluturimin.
Thunberg ishte njëra nga më shumë se 400 aktivistët, parlamentarët dhe juristët e ndaluar pasi forcat izraelite sulmuan flotiljen e ndihmës që po shkonte drejt Gazës të mërkurën. Disa nga të ndaluarit janë deportuar tashmë, ndërsa për disa të tjerë proceset ligjore janë ende në zhvillim.
Sipas korrespondencës së parë nga The Guardian, Thunberg i ka thënë zyrtarëve suedezë se ishte mbajtur në një qeli të infektuar dhe se i ishin ofruar ushqim dhe ujë të pamjaftueshëm.
Gazeta britanike gjithashtu citoi një tjetër të ndaluar duke thënë se forcat izraelite e detyruan Thunberg të mbante flamuj për foto.
Pjesëmarrës të tjerë në flotilje kanë pohuar pretendimet për keqtrajtimin e Thunberg. Aktivisti turk, Ersin Çelik i tha agjencisë Anadolu se forcat izraelite “e torturuan rëndë Gretën para syve tanë” dhe “e detyruan të zvarritej dhe të puthte flamurin izraelit”./D.B/KP