Në prag të 20-vjetorit të themelimit të saj, YouTube nuk është më thjesht platformë për video amatore pa përpunim. Sot, numëron 2.7 miliardë përdorues dhe është bërë një nga mjetet më të fuqishme të medias globale.
Kur nisi më 2005, YouTube ishte hapësirë ku përdoruesit e zakonshëm ngarkonin video të thjeshta dhe autentike, shpesh me cilësi të ulët dhe pa ndihmën e profesionistëve.
Por, krijuesit janë më të specializuar dhe mes tyre ka edhe emra të mëdhenj nga fusha të ndryshme, përfshirë edhe yje të njohur ndërkombëtarisht si këngëtarja shqiptare Dua Lipa, e cila ndan me fansat video me cilësi të lartë.
YouTube ka ndryshuar mënyrën se si amerikanët konsumojnë media, duke u bërë kanali kryesor për shikimin e përmbajtjeve televizive. Statistikat tregojnë se platforma ka më shumë përdorues dhe vizita sesa televizionet tradicionale, duke u bërë alternativa kryesore për argëtim në mbarë botën.
Parashikohet që YouTube të tejkalojë këtë vit të ardhurat e Disney-t, një tregues i fuqisë së jashtëzakonshme që ka arritur. Në të njëjtën kohë, platforma po investon në Inteligjencën Artificiale për të përmirësuar krijimin e përmbajtjeve të reja.
Së fundmi, YouTube prezantoi produkte të reja e përzgjodhi disa prej krijuesve më të suksesshëm në platformë, si Dua Lipën, Mark Roberin, Smoshin dhe Brandon B, siç raportoi Reuters të mërkurën. /A.Z/UBT News/