UBT News

​Aktakuzë ndaj tre ish-zyrtarëve policorë të dyshuar për keqtrajtimin e një personi në Klinë

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Përgjithshme, ka ngritur aktakuzë ndaj ish zyrtarëve policor, N.G, Sh.S dhe E.E, nën dyshimet se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë” dhe veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Sipas aktakuzës, tre të pandehurit, N.G, Sh.S dhe E.E në cilësinë e zyrtarëve policorë nga Njësia reaguese e Stacionit Policor të Klinës, përkatësisht në shtëpinë e të dëmtuarit D.K., duke vepruar në bashkëkryerje dhe duke keqpërdorur autorizimet e tyre [në kundërshtim me nenin 11 të Ligjit Nr. 04/L-076 për Policinë], me dashje keqtrajtojnë personin tjetër dhe atë të dëmtuarin, në atë mënyrë që, pasi të pandehurit i përgjigjen thirrjes së një ankese të qytetarit i cili ishte sulmuar nga i dëmtuari në këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, “të njëjtit e identifikojnë dhe shkojnë tek shtëpia e tij në vendin e lartë cekur, ku fillimisht e njoftojnë se duhej të shoqërohej në stacionin policor, e më pas duke tentuar ta prangosin, të pandehurit Sh.S dhe E.E e mbajnë nga krahët të dëmtuarin D.K, ndërsa i pandehuri N.G fillon ta godas të dëmtuarin me shuplaka disa herë në kokë e më pas edhe me grushte në pjesën e abdomenit, duke cenuar kështu rëndë dinjitetin njerëzor të tij. Me çka duke vepruar si bashkë kryes kanë kryer vepër penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga KPRK-së”.

Po ashtu, i pandehuri N.G, akuzohet për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, pasi që në cilësinë e zyrtarit policor, përkatësisht në shtëpinë e të dëmtuarit, “i pandehuri me dashje i shkakton lëndime të lehta personit tjetër dhe atë të dëmtuarit D.K, ku i njëjti e godet të dëmtuarin me shuplaka disa herë në kokë e më pas edhe me grushte në pjesën e abdomenit, si rezultat i tyre të dëmtuarit i shkaktohen lëndime të lehta trupore të konstatuara si në akt ekspertimin mjeko-ligjor”.

Tre të pandehurit, nga prokurori i çështjes, akuzohen edhe për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.

Kjo sipas Prokurorisë, “sepse me datë 28 qershor 2025, në Stacionin Policor në Klinë, ne cilësinë e zyrtarëve policorë me dashje dhe duke vepruar në bashkëveprim, merren vesh mes vete për të njoftuar personin zyrtar për hetim bëjnë lajmërim të rrejshëm kinse, i dëmtuari D.K, ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Prokurori i shtetit përveç që ka kërkuar që të pandehurit të shpallen fajtor për veprat penale që ju vihen në barrë nga aktakuza, ka propozuar dënimin plotësues për të pandehurit “Ndalimin e ushtrimit te funksioneve në vende publike ose shërbime publike”.

Exit mobile version