U përurua rruga e re në komunën e Shtimes, një projekt në vlerë rreth 900 mijë euro, që përfshin ndërtimin dhe rehabilitimin e afro 5.5 kilometrave rrugë.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili mori pjesë në përurim, tha se ky projekt është realizuar me bashkëfinancim ndërmjet ministrisë e komunës dhe se rruga do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e qarkullimit të qytetarëve.
“Me ftesë të kryetarit erdha në vizitë, e cila është ndërtuar nga komuna e Shtimes. Ministria në marrëveshje e ka bërë financimin e kësaj rruge. Komuna e Shtimes e shpenzoi ashtu siç duhet me rrugë alternative që janë mjaft të rëndësishme për qytetarët, krijon mundësi të qarkullimit sa më të mirë dhe mobilitetit sa më të rregullt. Kjo rrugë është mjaft e rëndësishme për qytetarët këtu”, tha Aliu.
Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, tha se projekti përfshin ndërtimin e një rruge të re që lidh fshatrat.
“Ky është një projekt që ka kushtuar rreth 900 mijë euro dhe ka trajtuar rreth 5.5 km rrugë ku gjysma është rrugë e re, që lidh fshatin Davidoc me fshatin Godanc dhe rivitalizimi i rrugës Davidoc, Rashicë dhe Muzeqinë, një rrugë në të cilnë nuk është ndërhyrë për 20 vjet. Ka qenë rrugë e demoluar. Ky investim është më se i qëlluar”, tha kryetari Aliu.
Ministri në detyrë Aliu dhe kryetari Aliu gjithashtu inspektuen punimet në rregullimin e shtratit të lumit në këtë komunë.