UBT News

Zgjedhjet e 12 tetorit, Radoniqi fton mërgatën që të regjistrohet për votim me postë

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, iu është drejtuar me një videomesazh të gjithë shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, duke i informuar mbi të drejtën dhe mundësinë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale më 12 tetor.

Periudha e regjistrimit ka nisur më 23 korrik dhe do të zgjasë deri më 29 gusht 2025. Radoniqi thekson se për të votuar nga diaspora është e domosdoshme regjistrimi brenda këtij afati përmes platformës elektronike të KQZ-së.

Në mesazhin e tij, kryesuesi i KQZ-së fton të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në procesin zgjedhor, duke nënvizuar rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre: “Vota juaj ka ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhmen e komunës tuaj.

Vetëm ata votues që regjistrohen brenda periudhës së përcaktuar do të kenë mundësinë të votojnë përmes postës gjatë periudhës së votimit nga jashtë, e cila fillon më 17 shtator dhe mbyllet më 11 tetor 2025.

Ndryshe nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, ku votimi jashtë vendit mund të kryhet edhe nëpërmjet përfaqësive diplomatike, në zgjedhjet lokale votimi jashtë shtetit realizohet vetëm përmes postës. Kjo parashikohet nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili sqaron se votimi në përfaqësitë diplomatike nuk aplikohet për zgjedhjet lokale.

KQZ u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të regjistrohen në kohë dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre zgjedhore, duke kontribuar në zhvillimin demokratik të komunave të tyre.

Exit mobile version