Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hekuran Murati tha se nuk është problem që të sigurohen votat për tejkalim të ngërçit politik.
Ai para fillimit të seancës konstituive, e cila është përpjekja e fundit para vendosjes së masës së Gjykatës Kushtetuese, tha se pret që të ketë vullnet nga partitë opozitare për konstituim të kuvendit.
“Po shpresoj që meqë është seanca e fundit apo vazhdimi i fundit që do të mbahet para pezullimit nga Gjykata Kushtetuese, shpresoj dhe uroj që të gjendet vullneti nga partitë opozitare, por edhe tek deputetët individualisht që më në fund të kemi konstituimin e kuvendit. Na duhet që patjetër që të formohen institucionet. Ne tashmë siç e keni parë jemi te numri 57 në vazhdimësi, me votat e NISMA-s bëhemi 60, jemi shumë afër 61. Me votat e Veton Berishës dhe Duda Baljes bëhemi 62, me votën e Lutfi Hazirit që ka thënë do të bëhesha vota 61 bëhemi 63, e madje edhe me votën e Bekë Berishës bëhen 64. Nuk është problem që të jenë dhe të sigurohen votat për të tejkaluar këtë ngërç, vetëm duhet vullnet politik qoftë i subjekteve opozitare, qoftë edhe i deputetëve individualisht”, deklaroi Murati.