Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i është refuzuar vizita në Luginën e Preshevës. Kjo është bërë e ditur nga kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cila tha se diskriminimi ndaj shqiptarëve po vazhdon.
Presheva, Medvegja dhe Bujanoci janë tri komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
“Për herë të dytë, pushteti i Vuçiqit ndalon Ministrin Hajrulla Çeku të vizitojë Preshevën. Ky është një tjetër akt i politikës nacionaliste serbe, e cila fshihet pas një fasade pro-evropiane, por në realitet ushqen një regjim autoritar që shkel të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve”, shkroi Sinani të mërkurën në Facebook.
Sinani tha se Presheva është e vendosur të mbajë lidhjet me të gjitha vendbanimet shqiptare dhe të forcojë bashkëpunimin me Kosovën dhe Shqipërinë.
“Fatkeqësisht, ky regjim (i Serbisë) vazhdon të përkëdhelet nga Perëndimi për arsye gjeostrategjike, ndërsa shqiptarët e Luginës përballen me diskriminim dhe izolim. Por ne nuk ndalemi”, tha Sinani.