UBT News

A duhet paguar tatim ata që punojnë ‘Freelancer’?

ATK përmes një njoftimi ka apeluar të gjithë personat të cilët krijojnë të ardhura në Kosovë nga aktiviteti i tyre si “freelancer”, janë të obliguar të deklarojnë dhe paguajnë tatimin sipas legjislacionin tatimor të Kosovës.

Kjo është komunikata e plotë:

Punonjësit e pavarur, të njohur si “freelancers” janë profesionistët e pavarur, që janë individë (të vetëpunësuar) që realizojnë të ardhura në bazë të punës, zakonisht për punë afatshkurtër si kontraktues të pavarur dhe trajtohen si të tillë për qëllime tatimore.

Freelancerët nuk janë të punësuar në mënyrë të rregullt nga një kompani ose organizatë, por punojnë në bazë të projekteve, duke marrë kontrata të ndryshme me klientë të ndryshëm.

Punojnë në mënyrë të pavarur, me fleksibilitet të lartë në oraret e punës dhe mund të punojnë për klientë në tregun vendor ose ndërkombëtar, ndërkaq nuk gëzojnë përfitime të kontributeve të ndryshme.

Këta persona janë profesionistë të specializuar në kryerjen e detyrave të caktuara, siç mund të jenë:

specialistët e TI-së;

Inxhinierët;

Mjekët;

Financierët;

Avokatët;

Gazetarët;

Projektuesit;

Arkitektët;

Artistët;

Përkthyesit;

Zejtarët, etj.

A paguajnë tatim freelancers?

Të gjithë personat që krijojnë të ardhura nga aktiviteti si “freelancer”, janë të obliguar të deklarojnë e paguajnë tatimin sipas legjislacionin tatimor të Kosovës.

Shembull:

Kur shërbimet si “ freelancer” ofrohen si i punësuar, të ardhurat i nënshtrohen tatimit të mbajtur në burim nga subjektet vendore, nëse i punësuari gjendet në Kosovë dhe kur punëdhënësi është jashtë saj, personi obligohet të bëjë pagesën e tatimit dhe kontributit pensional.

Deklarimi dhe pagesa e ë ardhurave bëhet me deklaratën vjetore, apo në baza mujore mundësohet deklarimi e pagesa e tatimit në paga dhe kontribute pensionale për personat të cilët deklarojnë dhe paguajnë vetë tatimin dhe kontributin pensional.

Kur shërbimet si “freelancer” konsiderohen aktivitete ekonomike të pavarura atëherë kërkohet të regjistrohet përmes ARBK, dhe për të ardhurat e krijuara si biznes i regjistruar në Kosovë, deklarimi dhe pagesa i nënshtrohet rregullave për pagesë, si të ardhura nga shërbimet me normën 9% në qarkullimin bruto apo sipas rregullave ligjore për të ardhura reale. /UBTNews/

Exit mobile version