Një grup prej 38 migrantësh, përfshirë një grua shtatzënë, janë gjetur të bllokuar në një ishull të vogël, pa emër, përgjatë kufirit turko-grek.
22 burra, nëntë gra dhe shtatë fëmijë thonë se kanë qenë në ishullin e lumit Evros që nga mesi i muajit korrik. Ata u gjetën të hënën dhe u dërguan në Greqi.
Ministri grek i Migracionit tha se ata ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe gruaja shtatzënë u dërgua për kontroll mjekësor.
Grupi dhe agjencitë e të drejtave të njeriut thonë se një fëmijë ka vdekur në ishull, por policia greke nuk e ka konfirmuar ende rastin.
Kishte paqartësi mbi vendndodhjen e grupit dhe nëse Turqia apo Greqia duhej të kishin ndërhyrë për të ndihmuar. Autoritetet greke thanë se njerëzit, të cilët sipas policisë janë identifikuar si sirianë, ndodheshin në territorin turk. Ata u gjetën rreth 4 km në jug të koordinatave jashtë territorit grek që u raportua fillimisht disa ditë më parë. Kjo është arsyeja pse, sipas policisë greke, migrantët nuk ishin gjetur më herët.
Baida, një nga gratë e grupit, tha se ata po trajtohen si “ndeshje futbolli” nga Turqia dhe Greqia.
“Askush s’na do. Askush s’na dëgjon. Askush s’do të na ndihmojë”, shtoi ajo.
Trajtimi i Greqisë ndaj emigrantëve që përpiqen të dalin në Evropë nga Turqia është çështje diskutimi prej vitesh.
Grupet e të drejtave të njeriut pretendojnë se mijëra njerëz që kërkonin azil janë kthyer prapa para se t’u jepej mundësia të aplikojnë për azil. Gjithashtu ka shkaktuar polemika brenda BE-së pasi një zyrtar i lartë pretendoi vitin e kaluar se Greqia po shkel të drejtat themelore evropiane./UBTNews/