Sot shënohen 36 vjet nga miratimi i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, një prej akteve më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës dhe një moment vendimtar në rrugën drejt shtetësisë.
Më 2 korrik 1990, 111 delegatë shqiptarë të Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë dhe e barabartë në kuadër të federatës, përkatësisht konfederatës së atëhershme jugosllave.
Për shkak se ndërtesa e Kuvendit ishte e rrethuar nga forcat policore dhe ushtarake serbe, delegatët e shpallën deklaratën jashtë objektit të parlamentit, duke sfiduar presionin e regjimit të kohës dhe duke shënuar një akt të guximshëm politik.
Deklarata e 2 Korrikut konsiderohet si dokumenti i parë institucional që hodhi themelet e procesit të pavarësimit të Kosovës nga Serbia, duke shprehur qartë vullnetin politik për barazi me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.
Ky akt historik u bë bazë për zhvillimet e mëvonshme politike dhe juridike, përfshirë miratimin e Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator 1990 dhe referendumin për pavarësi, duke i hapur rrugën shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008./A.K/
