Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratë me vlerë 35 mijë e 400 euro për dekorimin e kryeqytetit për festat e fundvitit.
Sipas njoftimit të publikuar në e-Prokurimi, dekorimi i këtij vitit i është dhënë kompanisë “Finesë Design SH.P.K”. Kontrata është nënshkruar më 6 nëntor, derisa për këtë tender ishin paraparë 50 mijë euro.
“Dekorimi i shtëpizave të Tregut Dimëror të Komunës së Prishtinës në bulevardin “Xhorxh Bush” me ndriçim led dhe simbolin e Tregut Dimëror. Logo e Verë N ‘Dimër në shtëpiza, nga materiali forex me dimenzione 30cm x 60cm, e mveshur me ndriçim dekorativ. Vërejtje: Në çmim duhet të llogaritet dekorimi me ndriçim led dhe poashtu simboli–Logo e Tregut dimëror në bazë të dizajnit të propozuar nga OE fitues”, thuhet në dosje.
Për këtë tender kishin aplikuar tri kompani, por kompania me çmimin më të ulët ka fituar tenderin. Kompania fituese kishte aplikuar me 35 mijë e 400 euro.
Ndërsa kompania “AGRI Bau” kishte ofertuar me 46 mijë e 800 euro dhe kompania “Adhurim Haraqia” me 46 mijë e 965 euro.