Philippa Easterbrook, një mjeke e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) tha se janë 348 raste të mundshme të hepatitit akut me origjinë të panjohur te fëmijët dhe të rinjtë në mbarë botën. Këto janë raste nga pesë rajone të ndryshme.
“Unë mendoj se është e rëndësishme të theksohet se ekzistojnë vetëm gjashtë vende për momentin ku ata raportojnë më shumë se pesë raste; për të gjithë vendet e mbetura, janë më pak se pesë raste”, tha Easterbrook.
Hepatiti, një inflacion i mëlçisë, ka ngritur spekulime në arenën mjekësore se rastet mund të shkaktohen nga një lloj i ri adenovirus apo edhe nga COVID-19.
“Për momentin, hipoteza kryesore mbeten ato që përfshijnë adenovirusin, por mendoj se ka ende një konsideratë të rëndësishme, edhe për rolin e COVID-it, qoftë si bashkinfeksion, qoftë si infeksion i së shkuarës”, tha doktoresha e OBSh-së.
Britania raportoi fillimisht një rritje të papritur të konsiderueshme në rastet e hepatitit të rëndë akut me origjinë të panjohur te fëmijët e vegjël, përgjithësisht që ishin në gjendje të mirë shëndetësore më parë.
Shumë raste raportuan simptoma gastrointestinale, duke përfshirë dhimbje barku, diarre dhe të vjella, të cilat i paraprinë paraqitjes së hepatitit akut të rëndë.
Viruset e zakonshme që shkaktojnë hepatitin akut viral (viruset e hepatitit A, B, C, D dhe E) nuk janë zbuluar në asnjërin prej këtyre rasteve./UBTNews/