UBT News

34 vite nga pavarsia e Maqedonisë së Veriut

Maqedonia e Veriut sot shënon 34 vjet nga shpallja e pavarësisë nga ish-Federata Jugosllave, përmes një referendumi popullor.

Referendumi i asaj kohe u bojkotua nga shqiptarët në Maqedoni, të cilët kërkonin status autonomie, duke shprehur pakënaqësitë për pozitën e tyre. Megjithatë, sipas vlerësimeve zyrtare, mbi 95 për qind e qytetarëve që dolën në votime u përgjigjën pozitivisht në pyetjen: “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë?”.

Procesit i parapriu Deklarata për Pavarësi, e miratuar nga Parlamenti i parë shumëpartiak më 25 janar 1991. Vullneti i popullit për shtet të pavarur u konstatua më 18 shtator 1991 me pranimin e rezultateve të referendumit në Kuvend. Një tjetër hap i rëndësishëm ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991, e cila nuk mori mbështetjen e deputetëve shqiptarë. Dhjetë vite më vonë, pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, Kushtetuta u plotësua.

Shteti i parë që njohu pavarësinë e Maqedonisë ishte Bullgaria, pasuar nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia dhe Bosnja e Hercegovina. Më 26 prill 1992 vendi u pavarësua monetarisht me vendosjen e denarit, ndërsa më pas formoi edhe Armatën, e cila feston ditëlindjen më 18 gusht.

Subjektiviteti ndërkombëtar-juridik u konfirmua më 8 prill 1993, kur Maqedonia u pranua si anëtare e 181-të e Kombeve të Bashkuara.

Sot, vendi ka marrëdhënie diplomatike me mbi 170 shtete të botës dhe pas një periudhe të gjatë sfidash, më 30 mars 2020, u bë anëtarja e 30-të e NATO-s./D.B/Zhurnal.mk

Exit mobile version