Më 1 nëntor 2024 shënohen 32 vjet nga hyrja në fuqi e Traktatit të Maastrichtit, i cili ishte një moment historik për Europën. Ky traktat, i nënshkruar më 7 shkurt 1992, hapi rrugën për krijimin e Bashkimit Evropian (BE) dhe theksoi integrimin ekonomik dhe politik të vendeve anëtare. Në atë kohë, BE përfshinte 12 vende: Belgjika, Danimarka, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Mbretëria e Bashkuar, Portugalia dhe Spanja.
Traktati i Maastrichtit, i njohur si Traktati për Bashkimin Evropian, shënoi një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit europian, duke futur konceptin e monedhës së përbashkët, euro, që u prezantua më vonë në vitin 2002. Negociatat për këtë traktat filluan si përgjigje ndaj nevojës për një bashkëpunim më të ngushtë në politikën ekonomike pas sfidave të përjetuara nga vendet evropiane.
Megjithëse traktati u miratua me vështirësi, me refuzimin fillestar të Danimarkës dhe një fitore shumë të ngushtë në Francë, ai u aplikua përmes zgjidhjeve politike që kapërcyen pengesat. Hyrja në fuqi e Traktatit të Maastrichtit shënoi fillimin e një etape të re për Europën, duke e lidhur më ngushtë politikën dhe ekonominë.
Kjo ngjarje historike vinte pas një periudhe të gjatë bashkëpunimi, e cila kishte filluar pas Luftës së Dytë Botërore, me qëllimin për të siguruar paqen dhe stabilitetin në kontinent. Me rritjen e numrit të vendeve anëtare në vitet e mëpasshme dhe miratimin e politikave të përbashkëta, BE është transformuar në një nga organizatat më të rëndësishme në botë, duke u përballur me sfida globale dhe duke u fokusuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj.
Sot, me 27 vende anëtare, BE vazhdon të luajë një rol kyç në politikën, ekonominë dhe sigurinë globale, duke promovuar vlerat e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe të zhvillimit të qëndrueshëm./UBTNews/