Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se 313 serbë kanë aplikuar për t’i konvertuar patentë shoferët ilegalë të lëshuar nga strukturat paralele serbe në RKS në 12 ditët e para të zbatimit të vendimit. Këto shifra i ka bërë me dije kryeministri i Kosovës Albin Kurti, me ç ’rast u ka bërë thirrje të gjithë serbëve që kanë të drejtë ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
“Për 3 muaj, ata që kanë patentë shoferë të lëshuar nga strukturat ilegale paralele të Serbisë do të mund t’i konvertojnë në patentë shoferë të Kosovës. Në më pak se 2 javë nga kjo mundësi përfituan 313 bashkëqytetarë tanë. I bëj edhe një herë ftesën time të gjithë atyre që kanë të drejtë ta shfrytëzojnë mundësinë”, ka shkruar Kurti në X.
Procedura për pajisje me patentë shoferi të Republikës së Kosovës zgjat pesëmbëdhjetë ditë. Patentë shoferi i lëshuar nga strukturat serbe i kthehet aplikuesit si dokument i pavlefshëm dhe i njëjti pajiset me patentë shoferin e Republikës së Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar në fillim të majit se ka vendosur që t’u lejojë serbëve t’i konvertojnë patentë shoferët ilegalë në RKS me disa lehtësira, duke mos iu nënshtruar provimit për patentë shofer. Aplikimi do të jetë i hapur deri më 9 gusht të këtij viti.