UBT News

31 vjet nga Referendumi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkëngjitje me Kosovë

Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë përkujtuar 31-vjetorin e Referendumit të 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, kur u bë deklarimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës për dy opsione: për Autonomi (politike e territoriale) në Serbi, dhe për bashkim me Kosovën.

Përmes një komunikate në rrjetin social Facebook, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, njëherit deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se Referendumi është “aspiratë e Luginës së Preshevës”.

“Rëndësia e Referendumit të 1 e 2 marsit të vitit 1992 nuk do ta humbë kurrë rëndësinë dhe vlerën e saj historike, pavarësisht tentativave dashakeqe të Beogradit, e fatkeqësisht sot po bëhet edhe përmes disa politikave lokale në Luginë përmes njerëzve të instrumentalizuar dhe nënshtruar. Zgjidhja e drejtë e statusit politik të shqiptarëve konform kërkesave të Referendumit është një ndër premisat e ndërtimit të paqes afatgjate në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Kamberi.

Para 31 vitesh shqiptarët e Luginës së Preshevës me anë të Referendumit u deklaruan për autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Organizimi i Referendumit të 1 dhe 2 marsit të 1992 ishte dhe mbetet rezultati më i rëndësishëm i dy partive të para politike, PVD dhe PDSH, që dy vite më parë kishin filluar me organizimin e pavarur politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës./UBTNews/

Exit mobile version