UBT News

30 vjet e gjysmë burgim dhe 5 mijë euro gjobë ndaj katër të akuzuarve për terrorizëm

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me 30 vjet e gjysmë burgim dhe 5 mijë euro gjobë (së bashku) Ardijan Gjurajn, Ergim Sylën, Nehrudin Skenderin dhe Mentor Bellaqën, lidhur me akuzën për terrorizëm

Aktgjykimi ndaj katër të akuzuarve u shpall të martën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Gjuraj për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” u dënua me 5 vite burgim.

I njëjti për veprën penale në bashkëkryerje të armëmbajtjes pa leje, u dënua me 4 vite e 6 muaj burgim. Ndaj Gjurajt, gjykata shpalli dënim unik me 9 vite burgim.

I akuzuari Ergim Syla për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” u dënua me 4 vite burgim.

Për veprën penale armëmbajtje pa leje në bashkëkryerje, u dënua me 3 vite e 6 muaj burigm. Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik me 6 vite e 6 muaj burgim.

Kurse, i akuzuari Nehrudin Skenderi për veprën penale “Lehtësimi dhe Financimi në kryerjen e terrorizmit” u dënua me 8 vite e 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Nëse i akuzuari nuk mundet ose nuk dëshiron ta paguajë dënimin me gjobë, i njëjti i zëvendësohet me dënim me burgim.

I akuzuari Mentor Bellaqa për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, u dënua me 4 vite burgim, kurse për armëmbajtje pa leje 3 vite e 6 muaj burgim. Ndaj Bellaqës, gjykata shpalli dënim unik me 6 vite e 6 muaj burgim.

Për të gjithë të akuzuarit, dënimi me burgim hyn në fuqi 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Po ashtu, të njëjtëve iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndryshe, për veprat për të cilat u dënuan, të akuzuarit ishin shpallur fajtorë në seancën e 18 dhjetorit 2023.

Kurse, i akuzuari Gjuraj ishte liruar nga akuza për veprën penale “Mos lajmërimi i përgatitjes së veprave penale”, pasi nuk ishte provuar se e ka kryer këtë vepër.

Gjithashtu edhe i akuzuari Skenderi u lirua nga akuza për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, që sipas gjykatëses Musliu-Selimaj gjykata konsideroi se veprimet e tij janë përmbushur në veprën penale “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit”.

Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe Shkodran Krasniqi, mirëpo i njëjti pas pranimit të fajësisë ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materive plasëse”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 23 dhjetor 2022, ka përpiluar aktakuzën kundër të akuzuarve Ardijan Gjuraj, Ergim Syla, Nehrudin Skenderi, Mentor Bellaqa dhe Shkodran Krasniqi, të cilët akuzoheshin se kanë përgatitur akte terroriste në Kosovë. /BetimipërDrejtësi

Exit mobile version