Sfidat e qeverisë nga pandemia te dialogu me Serbinë.
Katër javë pas formimit të qeverisë së Kosovës, sfidat që kanë trokitur në zyrën e kryeministrit Albin Kurtin nuk kanë qenë të pakta. Ndonëse u duk një fillim i mbarë për Kurtin, duke arritur që të sigurojë numrat në Kuvend për zgjedhjen e Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës, presioni i partive politike opozitare sa vjen e rritet për çdo çështje që duhet të kalojë nga vendimet e qeverisë.
Pandemia, vaksinat, forcimi i ekonomisë, janë pikat ku qeveria Kurti është përqendruar maksimalisht dhe po aq edhe opozita parlamentare.
Ndërkohë që në filtrin e kundërshtarëve politikë kalon edhe çdo deklaratë që Kurti bën për dialogun me Serbinë apo politikën e jashtme, transmeton Euronews Albania.
E megjithatë, në këto katër javë, një akuzë e përbashkët nga të gjitha subjektet opozitare në Kosovë ishte edhe tërheqja e Kurtit nga problemet e brendshme dhe përqendrimi i tij në fushatën elektorale në Shqipëri, ku Vetëvendosja po garon, duke shënuar edhe një tjetër sfidë për t’u përballur nga qeveria e tij.